• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Micotakisi e ktheu mandatin për formimin e Qeverisë, nesër do ta marrë Ciprasi

Micotakisi e ktheu mandatin për formimin e Qeverisë, nesër do ta marrë Ciprasi

Athinë, 22 maj 2023 (MIA) - Kryetari i Demokracisë së Re, Kirjakos Micotakis ia ka kthyer mandatin për formimin e Qeverisë presidentes greke Katerina Sekellaropllu, e cila nesër do t'ia ndajë liderit të partisë së dytë, gjegjësisht SYRIZA-s, informon korrespodentja e MIA-s nga Athina.

Nga kabineti i presidentes greke njoftuan se Micotakis ka pasur kontakt me Sakellaropullun dhe e ka informuar se e kthen mandatin.

Kështu nesër paradite, presidentja do ta presë liderin e SYRIZA-s, Aleksis Cipras, që t'ia ndajë mandatin e dytë, sipas dispozitave të kushtetutës greke.

Micotakis kur e pranoi mandatin nga Sakellaropullu tha se "në thelb nuk ekziston kurrfarë kushti për formimin e qeverisë nga Parlamenti konkret" dhe theksoi se vendit i duhet "qeveri e qëndrueshme dhe fuqishme me perspektivë katërvjeçare", ndërsa paralelisht realizoi edhe bisedë telefonike me kryetarët e partive të cilët siguruan hyrje në Parlament dhe i ka informuar për qëllimin e Qeverisë që të përshpejtohen procedurat që zgjedhjet e reja të jenë më 25 qershor. 

Demokracia e Re fitoi në zgjedhjet e djeshme parlamentare, por për shkak të modelit proporcional zgjedhor që nuk parasheh bonus të deputetëve për partinë e parë, nuk ka mundësi të formojë Qeveri njëpartiake, prandaj vendi do të shkojë në zgjedhje të dyta. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR