• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Micotakis: Derisa ishim me Zelenskin në portin në Odesa dëgjuam sirena, por edhe një shpërthim të madh teksa hipëm në makina

Micotakis: Derisa ishim me Zelenskin në portin në Odesa dëgjuam sirena, por edhe një shpërthim të madh teksa hipëm në makina

Athinë, 6 mars 2024 (MIA) - Ishim në portin në Odesa, presidenti Zelenski dhe anëtarët e kabinetit të tij na bënë një turne, duke na shpjeguar nga njëra anë rëndësinë e portit për eksportet e Ukrainës dhe nga ana tjetër duke na treguar dëmin e konsiderueshëm që pësoi kjo infrastrukturë kritike kur dëgjuam sirenat. Dhe pak më vonë, ndërsa po hipnim në makinat tona, dëgjuam një shpërthim të madh, ka zbuluar kryeministri grek Kiriakos Micotakis në konferencën me presidentin ukrainas, për sulmin e sotëm ajror në qytetin ukrainas, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Micotakis theksoi se ky është gjithashtu "përkujtuesi më i mirë, më i gjallë se ka një luftë të vërtetë" që prek edhe qytetarët e pafajshëm.

"Mendoj se kjo është një arsye më shumë pse të gjithë liderët evropianë duhet të vijnë në Ukrainë. Sepse një gjë është të shohësh, të dëgjosh përshkrimin nga media ose nga presidenti Zelenski, me të cilin komunikojmë rregullisht dhe është krejtësisht ndryshe të përjetosh luftën nga dora e parë", theksoi Micotakis.

Në konferencën me Zelenskin, kryeministrit grek edhe njëherë e ka përsëritur mbështetjen për Ukrainën, "në përpjekjet e drejta për të mbrojtur territorin, sovranitetin kombëtar, por edhe dinjitetin e dhjetëra miliona qytetarëve të Ukrainës”.

"Ky është një qëndrim parimor, të cilin ne e ndjekim vazhdimisht që në momentin e parë, si në planin dypalësh, ashtu edhe në kuadër të Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara. Sepse në shekullin e 21-të asnjë luftë nuk mund të gjakos zemrën e Evropës. As për të shkelur me dhunë të drejtën ndërkombëtare dhe mbi të gjitha kufijtë e përcaktuar dhe integritetin territorial të një shteti të pavarur. E dini shumë mirë, i dashur Volodimir, se vendi im çdoherë e ka mbrojtur paqen, duke hedhur poshtë çdo revizionizëm historikisht të gabuar. Shumë më tepër sepse ajo vetë ishte përballur me agresion në të kaluarën", tha Micotakis.

Gjithashtu, ai shprehu mbështetjen për perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Ukrainës.

Nga kabineti i kryeministrit grek njoftojnë se vizita e Micotakisit në Odesa ka filluar me vizitën në port, ku u prit nga presidenti ukrainas Volodimir Zelenski dhe ishte njoftuar për funksionimin e korridorit të eksportit të grurit përmes Detit të Zi dhe Danubit.

Dy liderët vizituan edhe kompleksin rezidencial që u godit pak ditë më parë, ku humbën jetën 12 civilë, mes tyre pesë fëmijë.

Micotakis vizitoi gjithashtu muzeun e Filiki Eteria, organizata sekrete e themeluar në vitin 1814 në Odesa.

Vizita e sotme disaorëshe e Micotakisit në Ukrainë nuk u njoftua zyrtarisht për shkaqe sigurie.

Në gushtin e kaluar, presidenti ukrainas ishte në Athinë në një darkë joformale të organizuar nga kryeministri grek Kiriakos Micotakis për liderët e Ballkanit Perëndimor dhe vendet anëtare të BE-së nga rajoni. qa/

Foto: kabineti i kryeministrit grek

 

QËNDRONI TË LIDHUR