• e enjte, 26 dhjetor 2024

Mickoski: VMRO-DPMNE mbetet parti e popullit, do të punoj në ndërtimin e qëndrimeve të vetme për çështjet strategjike

Mickoski: VMRO-DPMNE mbetet parti e popullit, do të punoj në ndërtimin e qëndrimeve të vetme për çështjet strategjike

Veles, 17 qershor 2024 (MIA) - Kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe mandatari për formimin e qeverisë së re Hristian Mickoski nga paraqitja e tij në solemnitetin "34 vjet VMRO-DPMNE, 131 vite VMRO, besëlidhje, liri, ardhmëri, vazhdojmë" bëri nderime për të gjithë paraardhësit e tij dhe anëtarë të partisë duke potencuar se tani partia është e bashkuar dhe e fuqishme dhe mbetet ajo që gjithmonë ishte parti e popullit. Mickoski tha se për disa ditë VMRO-DPMNE do ta formojë qeverinë e re dhe u dërgoi porosi funksionarëve të ardhshëm që t'i përveshin mëngët sepse i pret punë e mundimshme dhe reforma të fuqishme.

"Askush nga këtu në sallë nuk lejohet të qëndrojë mënjanë. Ne nuk kemi njëqind ditë, as periudhë grejs... Askush nga ju nuk mund të ketë biznese private dhe të drejtojë institucione", tha Mickoski. Nuk duhet, vazhdoi ai, të mbeteni të pakapshëm për qytetarët. Kërkoi punë, ndershmëri, përmbushje, transparencë. VMRO-DPMNE, tha Mickoski, ekziston për Maqedoninë.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së tha se edhe krahas dallimeve me LSDM-në dhe partitë e tjera, ai do të punojë në ndërtimin e qëndrimeve të vetme shtetërore për çështjet strategjike për vendin. "U jap dorën për bashkim kombëtar maqedonas", tha Mickoski.

Duke folur për publikimet se, siç tha, shumë pozicione u janë dhënë partive nga koalicioni VLEN, kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe mandatari, tha "ne nuk japim, as marrim" dhe se derisa partnerët e koalicionit punojnë sipas ligjit, do të jenë partnerë të njëjtë. 

"Nëse dikush devijon, menjëherë do të sanksionohet, përfshirë edhe nga partia jonë, do të thirret në përgjegjësi", tha Mickoski.

Në solemnitetin e sotëm "34 vjet VMRO-DPMNE, 131 vite VMRO, besëlidhje, liri, ardhmëri, vazhdojmë" që u mbajt në teatrin "Jordan Haxhi Konstantinov Xhinot" në Veles Mickoski potencoi se nuk do të heqë dorë nga ideja për Maqedoninë. 

"Unë do të kem respekt të njëjtë për çdo kryetar të mëparshëm. Gjëja më e rëndësishme është që VMRO-DPMNE është e bashkuar, e fortë dhe mbetet ajo që ka qenë gjithmonë, parti e popullit. Qoftë e përjetshme ideja dhe kauza, edhe shumë vite të tjera luftë", tha ai.

Mickoski theksoi se, siç tha, "nuk do të lejojë që VMRO-DPMNE të bëhet ajo që ishte dhe është LSDM, as Koalicioni VLEN të bëhet BDI.

"Të gjitha problemet do t'i zgjidhim me përkushtim. Nuk do të shihni standarde të dyfishta nga unë, unë do të sillem në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në vend dhe nuk do tu nënshtrohem temave që na distancojnë dhe na ndajnë", shtoi ai.

Mickoski, i cili është mandatar për formimin e qeverisë së re, mbrëmë i bëri të ditur emrat e ministrave të cilët do t'i propozojë, ndërsa gjatë ditëve të kaluara këtë e bënë edhe VLEN dhe ZNAM, të cilët do të jenë pjesë e koalicionit të ri qeveritar. 

Qeveria e re pritet të formohet më së voni deri të dielën në mesnatë. fc/

Fotografia: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR