12:00/23 dhjetor/2024
Shkup - Uji nga sistemi i Qytetit të Shkupit është i sigurt në aspektin sanitar dhe qytetarët mund ta shfrytëzojnë pa ndërprerje, ka treguar monitorimi i jashtëzakonshëm i djeshëm i kryer nga Sektori për kontroll sanitar i NP “Ujësjellës dhe Kanalizime – Shkup” pas ndërprerjes së furnizimit me ujë të shtunën. Siç informuan nga Qendra për menaxhim me kriza (QMK), monitorimi ka përfshirë nëntë vende kyçe: Autokomandë, Singeliq, Maxhari, Lisiçe e re, Qendër, Draçevë, Përzhino, Gjorçe Petrov dhe Karposh, ku janë marrë mostrat e ujit të pijshëm dhe janë kryer testime laboratorike fiziko-kimike dhe mikrobiologjike. Krahas matjeve në terren të parametrave rutinë, testimi u krye me metoda standarde dhe kromatografi jonike për analiza fiziko-kimike, si dhe metodë e reaksionit zinxhir polimerazë për analiza mikrobiologjike.
Shkup - Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) informoi se Numrin e vetëm të thirrjeve për raste urgjente 11 në 24 orët e fundit janë regjistruar 2.271 thirrje, prej të cilave 55 për qind janë “reale” dhe 45 për qind për nevoja tjera të qytetarëve që nuk ishin urgjente. Nga thirrjet “reale”, 66,33 për qind i janë drejtuar Policisë, 25,33 për Ndihmën urgjente mjekësore dhe 1,67 për qind zjarrfikësve. "Kishte edhe 952 thirrje për raste urgjente që është shuma totale e atyre që kanë qenë për zgjidhje të kombinuar nga thirrjet “reale” dhe ato të emërtuara si “telefonata jo emergjente”. Të gjithë ata i janë nënshtruar pritjes, përpunimit në QMK, SI dhe koordinimit të drejtpërdrejtë për zgjidhjen e tyre me institucionet dhe shërbimet në Sistemin e Menaxhimit të Krizave (SMK), thekson QMK.
Shkup - Është ndërprerë kontrata me "Energoinvest" ShPK Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë, kontraktues për ndërtimin e largpërçuesit 400 kV nga TS Manastir 2 deri në kufirin Maqedoni e Veriut - Shqipëri, informojnë nga Sh.A. Mepso. Mospërmbushja e detyrimeve nga kontraktori dhe kërkesat e tyre për pagesa shtesë çuan në ndëprerjen e patjetërsueshme të kontratës. Kjo situatë rezultoi me pamundësinë për të arritur një dakordësi midis dy palëve. Kontrata me “Energoinvest” ShPK Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë, është lidhur më 7 shkurt 2020, me afat të përfundimit prej 30 muajsh. Afati ka skaduar më 30.05.2023", theksojnë nga MEPSO.
Shkup - Gjatë fundjavës së kaluar, ekipet e NP Higjiena Komunale - Shkup realizuan aktivitete për largimin e përafërsisht 65 metra kub mbetje nga deponitë e egra të vendosura në komunat Çair, Gazi Babë dhe Kisella Vodë të Shkupit. "Sërish është intervenuar në bulevardin Nikolla Karev (Rruga e Plastikave), ku janë ngritur 20 metra kub mbetje komunale kryesisht të përziera të hedhura në sipërfaqe publike në këndin me rrugën Maksut Sadik, në afërsi të këndit të lojërave për fëmijë", informojnë nga ndërmarrja publike.
Shkup - Më së ftohti sot në mëngjes është në Berovë me -7 gradë Celsius, ndërsa më së ngrohti në Ohër ku janë matur 2 gradë, tregojnë të dhënat e Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike. Sipas DPHM-së, në Kodrën e Diellit janë matur -6 gradë, -5 në Shkup-Petrovec, -4 në Kriva Pallankë, Manastir, Veles, Demir Kapi dhe Strumicë, -3 në Shkup-Zajçev Rid, Tetovë, Shtip, Kavadar dhe Gjevgjeli, -2 në Prilep, Hanet e Mavrovës dhe Krushevë, -1 në Vinicë dhe 1 gradë në Pretor. Në orën shtatë, lartësia e shtresës së borës në Kodrën e Diellit ishte 33 centimetra, dhe 28 centimetra në Hanet e Mavrovës.
Zagreb – Në qendrën e Zagrebit sot do të mbahet marsh me qëllim që të rritet siguria në shkolla, pas sulmit më 20 dhjetor kur u vra një fëmijë, ndërsa mësimdhënësja dhe disa fëmijë të tjerë ishin plagosur rëndë. Marshi, që do të fillojë në orën 18, është në organizim të tre sindikatave të shkollës, të cilët ju bënë thirrje qytetarëve që t’i shoqërojnë. Është paraparë që marshi të shënohet me heshtje, pa parulla. Organizatorët ju bënë thirrje qytetarëve edhe jashtë Zagrebit që në qetësi të grumbullohen para shkollave në vendet e tyre, të shprehin homazhe për viktimat dhe të kërkojnë siguri më të madhe në shkolla.
Bukuresht - Presidenti i Rumanisë Klaus Johanis pritet që sot t'i japë mandatin për të formuar Qeverinë, Marçel Çolakut nga Partia Social Demokrate (PSD), pasi tre parti proevropiane arritën marrëveshje për shumicë parlamentare. Sipas marrëveshjes, PSD do të drejtojë tetë ministri, duke përfshirë drejtësinë, transportin, punën dhe mbrojtjen. Shumica e ministrave aktualë të partisë do të ruajnë pozicionet e tyre. Partia Kombëtare Liberale (PKN) e qendrës do të ketë gjashtë ministri, mes të cilave energjetikën, të brendshme dhe punët e jashtme, ndërsa Bashkimi Demokratik i Hungarezëve në Rumani (BDHR) do të udhëheq dy ministri, njëra prej të cilave është e financave.
Hagë - Në një operacion të Europol-it kundër kontrabandës së parave të gatshme në vendet-anëtare të BE-së janë zbuluar dhe sekuestruar 2,7 milion para të gatshme. Në aksion janë kontrolluar mbi 300 udhëtarë në aeroporte, porte, stacione hekurudhore dhe kufijtë e BE-së, si dhe dërgesat postare, me çka u sekuestruan ari dhe stoli, përfshirë 18 shufra ari me vlerë mbi 1,7 milionë euro.
Moskë - Kremlini publikoi se presidenti Vladimir Putin aktualisht nuk ka plane të takohet me presidentin e sapozgjedhur Donald Tramp, edhe krahas bisedimeve gjithnjë e më të shpeshta për një marrëveshje të mundshme paqeje për t'i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Tramp në konventën konservatore më 22 dhjetor tha se Putin i tha se "dëshiron të takohet me mua sa më shpejt të jetë e mundur". Në përgjigje, zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha sot se "deri më tani nuk ka sinjale konkrete" për të organizuar një takim me Trampin përpara inaugurimit të tij në janar.
Jerevan - Negociatat për zgjidhjen e konfliktit në Nagorno-Karabah që nga fillimi i tij në vitin 1994 kanë të bëjnë me kthimin e Nagorno-Karabahut nën kontrollin e Azerbajxhanit, tha kryeministri armen, Nikol Pashinjan, transmetuan mediat armene."Që nga viti 1994, përkatësisht pas armëpushimit, procesi i negociatave që në fillim ishte për kthimin e Nagorno Karabahut nën kontrollin e Azerbajxhanit. Procesi i negociatave nuk ka pasur qëllim tjetër", tha ai në rrjetet sociale.
Pekin - Kina dorëzoi informacione dhe dokumente për hetimin e përbashkët të dy kabllove nëndetëse të dëmtuara në Detin Baltik dhe ka ftuar Gjermaninë, Suedinë, Finlandën dhe Danimarkën të marrin pjesë në hetim, kumtoi Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës. Zëdhënësja e ministrisë, Mao Ning, deklaroi në konferencë për shtyp se Kina i informoi të gjitha palët e interesuara dhe është e gatshme të bashkëpunojë. Hetimi u inicua pasi në nëntor u ndërprenë dy kabllot optike - një midis Finlandës dhe Gjermanisë dhe një tjetër midis Suedisë dhe Lituanisë. Dëmi ngriti dyshime për sabotim dhe shqetësime për sigurinë e infrastrukturës kritike.