• e martë, 20 janar 2026
MIA Flesh

9:00/ 20 janar/ 2026

Shkup – Për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm në territorin e gjithë vendit sot fillon gjysmëvjetori i dytë.  Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska në një publikim në Fejsbuk u dëshiroi sukses të gjithë nxënësve në gjysmëvjetorin në vijim.  “Gjysmëvjetori i dytë fillon më 20 janar. U dëshiroj sukses të gjithë nxënësve, mësimdhënësve dhe shërbimeve profesionale në shkolla. Me më pak mungesa dhe përkushtim të madh t’i arrijnë qëllimet e mësimit. Dituria ndërtohet me punë, këmbëngulje dhe mbështetje të ndërsjellë. Me fat nga e marta!”, qëndron në publikimin e Janevskës. 

Shkup- Këshilli i prokurorëve publikë sot duhet ta mbajë seancën e 36-të, ku në rend të ditës, mes tjerash është edhe miratimi i vendimit për zgjedhje të prokurorit themelor publik të Prokurorisë themelore publik Shkup. Në garë për shef të ri të PTHP të Shkupit janë pesë kandidatë, mes të cilëve edhe njeriu i derianishëm i parë i kësaj prokurorie, Gavrill Bubevski, ish anëtar i PSP, e cila është shpërndarë për shkak të korrupsionit, ndërsa në PP ka lëndë edhe për bonuset e ndara në SPS në shuma milionëshe, për të cilin shkak në përplasje me ish prokurorin publik, Lupço Kocevski janë prokurorët e lartë Mustafa Hajrullahi dhe Jovan Cvetanovski. Përveç Bubevskit, kandidatë për shef të PTHP Shkup janë edhe Tanja Trajçevska, Anel Fidoski, Dejan Petreski dhe Spasanka Andonova. 

Shkup - Në kuadër të projektit "Qyteti i sigurt" prej sot e deri më 31 janar do të bëhet testimi, kalibrimi dhe verifikimi i aparateve të vendosura (kamerave) për mbikëqyrje në trafik. Testimet do të realizohen çdo ditë, nga ora 8 deri në ora 20. Siç informoi Ministria e Punëve të Brendshme, gjatë zbatimit të këtyre aktiviteteve, automjetet në lokacionet ku bëhet testimi, nuk do të qarkullojnë derisa zgjat procedura. Në javën e parë të periudhës së paraparë, aktivitetet do të zbatohen ekskluzivisht në lokacione me kamera të vendosura në rajonin e Qytetit të Shkupit.

Davos - Kryeministri Hristijan Mickoski, i shoqëruar nga një delegacion i lartë qeveritar, merr pjesë në takimin e 56-të vjetor të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) në Davos të Zvicrës. Në forumin në qendrën dimërore zvicerane, i cili këtë vit mbahet nën moton "Në frymën e dialogut", do të ketë 3.000 pjesëmarrës, duke përfshirë 65 shefa të shteteve dhe qeverive dhe më shumë se 850 drejtorë ekzekutivë të kompanive udhëheqëse botërore.  "Në ditët në vijim do të kemi takime të shumta që presim të ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e situatës ekonomike dhe të tërheqin një numër të madh të investimeve. Do të marr pjesë në tre panele, ku do t'i prezantoj mundësitë e investimit në Maqedoni, ndërsa në të njëjtën kohë do të kemi takime të shumta dypalëshe me shumë kompani nga e gjithë bota. Pres rezultate të frytshme, takime të suksesshme dhe një vizitë të suksesshme në Davos", publikoi kryeministri Hristijan Mickoski në profilin e tij në Fejsbuk.

Shkup– Komisioni kuvendor për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve sot do të mbajë seancë, në rend dite të së cilës është debati publik për përcaktimin e propozim listës nga kandidatët e paraqitur sipas Vendimit për shpalljen e konkursit publik për zgjedhje të anëtarëve të Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi.  Për përbërjen e re të KPMD-së janë paraqitur gjithsej 14 kandidatë – anëtari aktual Limko Bejzaroski, Kire Vasilev, Usein Elezoski, Meri Ivanovska, Natasha Amdiu, Zhaklina Damçeska, Shemshi Sallai, Mile Stojanovski, Goran Neshevski, Nesime Jashari Luma, Irfan Limani, Elita Shuki, Daniela Stojanoska Zhingovksa dhe Xhihan Ahmed.

Shkup - Në Kuvend sot seancë do të mbajë Komisioni për transport, transformim digjital, mjedis dhe planifikim hapësinor. Para anëtarëve të Komisionit janë propozim -vendimi për dhënien e pëlqimit për Propozimin e programit vjetor të punës dhe zhvillimit të Agjencisë së aviacionit civil për vitin 2026 dhe Propozim -vendimi për dhënien e pëlqimit për Propozimin e planit vjetor financiar të Agjencisë së aviacionit civil për vitin 2026 në lexim të dytë.

Shkup - Në Kuvend sot do të prezantohet hulumtimi "Mbikëqyrja dhe kontrolli parlamentar në Maqedoninë e Veriut përmes prizmit të kapacitetit mbikëqyrës në Kuvend". Hulumtimi do të prezantohet nga prof.dr. Denis Preshova, profesor inordinar në Fakultetin juridik "Justiniani i Parë" pranë UCM në Shkup. Pas prezantimit vijon diskutim dhe debat i hapur. Fjalim hyrës do të ketë kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

Shkup - Qarkullimi në rrugët shtetërore zhvillohet pa ndërprerje, kryesisht në rrugë të thata. Intensiteti i qarkullimit në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare në anën e Maqedonisë së Veriut nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi. LAMM rekomandon shpejtësi të adaptuar të lëvizjes, respektimin e sinjaleve të vendosura të komunikacionit e veçanërisht drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore dhe lugina të lumenjve ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut. Kjo vlen veçanërisht për akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë. 

Shkup – Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira me periudha dielli. Në fund të ditës dhe gjatë natës në pjesët perëndimore do të ketë reshje lokale të borës. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi juglindor. Temperaturat minimale do të lëvizin në interval prej minus 12 deri në minus 2, ndërsa ato maksimalet do të lëvizin prej minus 2 deri 8 gradë.  Në Shkup, mot i ndryshueshëm me vranësira me periudha dielli. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi juglindor. Temperaturat minimale do të bien deri në minus 7, ndërsa ato maksimale do të arrijnë deri 6 gradë. Në fund të ditës, gjatë natës dhe të mërkurën priten reshje të kohëpaskohshme të borës. Të enjten moti do të jetë kryesisht i vranët, ndërsa të premten do të mbizotërojë mot kryesisht me vranësira mesatare me periudha dielli. Në lugina do të ketë kushte për paraqitje të mjegullës. Nga e shtuna, së pari në pjesët perëndimore, ndërsa pastaj kudo, përsëri priten reshje të shiut dhe borës.

Strasburg - Një grup prej 54 deputetëve dërguan letër deri te kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, ku i bëjnë thirrje trupit ekzekutiv të BE-së "urgjentisht" të krijojë mediume sociale evropiane. Letra, e nënshkruar nga eurodeputetë të Partisë Popullore Evropiane (EPP), Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (SD), Grupit liberal "Ta ripërtërijmë Evropën" (RE), Të Gjelbrit dhe nga E Majta, u dërgua në prag të debatit të sotëm të Parlamentit Evropian kushtuar nevojës urgjente për ballafaqim me lajmet e rreme dhe eksploatimin seksual të mediumeve sociale përmes zbatimit të plotë të rregullave digjitale të BE-së.

Davos – Programi zyrtar i Forumit Ekonomik Botëror fillon sot në Davos.  Në ditën e hapjes, fjalime do të kenë kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, presidenti francez Emanuel Makron dhe zëvendëskryeministri kinez He Lifeng.  Gjithashtu, janë planifikuar ngjarje me sekretarin amerikan për Financa, Skot Besent, dhe drejtorin ekzekutiv të Majkrosoft, Satja Nadella.  Takimi vjetor është në hije të dëshirës së shprehur të presidentit amerikan Donald Tramp që ta marrë Grenlandën.  Trampi pritet dhe është paralajmëruar se nesër në Davos do të mbajë edhe fjalim. 

Kiev– Forcat ruse gjatë natës filluan sulm të kombinuar me dronë dhe raketa mbi kryeqytetin ukrainas Kiev, duke e ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike, deklaroi kryetari i qytetit, Vitalij Kliçko.  Një sulm në bregun lindor të lumit Dnjepër e ndërpreu furnizimin me energji elektrike dhe ujë. Është goditur një ndërtesë, ndërsa një person është lënduar, deklaroi Kliçko në Telegram.  Kanalet jozyrtare të lajmeve në Telegram publikuan fotografi nga ndërtesa të mëdha banesore pa drita. 

Madrid– Në Spanjë sot është shpallur tre ditë zie, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë nën rrënojat e vagonëve të trenit për të gjetur viktimat pas një aksidenti të trenit ku jetën e humbën të paktën 40 persona, ndërsa  u lënduan dhjetëra të tjerë. Sipas informacioneve të fundit, numri i viktimave në aksidentin hekurudhor Adamuz në Kordoba është rritur në 40, ndërsa 41 persona janë shtruar në spital, 12 prej të cilëve janë nën kujdes intensiv, thanë shërbimet e emergjencës së atjeshme. Policia tha se kishte hapur disa zyra ku njerëzit mund të paraqesin raporte dhe "të dorëzojnë mostra ADN-je për të identifikuar viktimat", transmeton Gardian.

Uashington – Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp ka folur në telefon me Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute lidhur me Grenlandën. "Jam dakorduar për një takim të palëve të ndryshme në Davos të Zvicrës. Siç ua kam bërë të qartë të gjithëve, Grenlanda është imperativ për sigurinë kombëtare dhe globale. Nuk ka kthim prapa – të gjithë bien dakord për këtë! Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë padyshim vendi më i fuqishëm në botë. Një pjesë e madhe e arsyes për këtë është rindërtimi i ushtrisë sonë gjatë mandatit tim të parë i cili vazhdon me një ritëm edhe më të shpejtë. Ne jemi e vetmja fuqi që mund të sigurojë paqe në të gjithë botën – Dhe kjo bëhet, thjesht, përmes forcës!, shkroi Trampi në Trut soushll. Më parë Trampi deklaroi se e kishte ftuar homologun e tij rus Vlladimir Putin t'i bashkohej iniciativës së tij për zgjidhjen e konflikteve globale të quajtur "Këshilli i paqes".

Kabul – Të paktën shtatë persona e humbën jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë u lënduan gjatë një shpërthimi në një restorant të njohur kinez në qendër të Kabulit, kryeqytetin e Afganistanit. Autoritetet afgane nuk e kanë bërë të ditur arsyen e shpërthimit, por presidenti i Pakistanit fqinj, Ali Zardari në një komunikatë e "dënoi bombardimin". Një shtetas kinez dhe gjashtë afganë u vranë, ndërsa midis të lënduarve ka pasur katër gra dhe një fëmijë.

Buenos Aires - Të paktën 20 persona kanë humbur jetën në zjarret e fuqishme pyjore në Kilin qendror, deklaroi dje ministri i Punëve të Brendshme, Alvaro Elizalde. "Si pasojë e këtyre zjarreve, 20 persona kanë vdekur, 19 prej tyre në rajonin Biobío dhe një në Nuble", tha Elizalde në një konferencë shtypi, duke shtuar se deri më tani janë identifikuar vetëm gjashtë nga viktimat. Ministri tha se 31 zjarre po shuhen dhe është lëshuar alarm i kuq në rajonet qendrore të Biobíos, Nubles dhe Araukanias. Ministri tha se më shumë se 34.000 hektarë janë prekur nga zjarret, ndërsa Biobío është prekur më rëndë me më shumë se 27.000 hektarë të shkatërruara.

Uashington - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp deklaroi se ka për qëllim të vendos taksa prej 200 për qind për verëra dhe shampanjë francezë, si pjesë të kërcënimit më të gjerë me taksa për vendet evropiane që e kundërshtojnë planin e tij lidhur me Grenlandën. Në pyetjen e gazetarëve për deklaratën e presidentit francez, Emanuel Makron se nuk do të inkuadrohet në Këshillin për paqe, Tramp tha: "A e ka thënë atë? Pra, askush nuk e dëshiron, pasi shumë shpejtë nuk do të jetë në funksion". "Do të vendosi taksa prej 200 për qind për verërat dhe shampnajln franceze, ndërsa Makroni do të inkuadrohet në Këshillin pët paqe", tha Tramp.

QËNDRONI TË LIDHUR