09:00 / 25 nëntor / 2024
Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë pune në Romë me ftesë të ministrit italian të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani. Në kuadër të vizitës, ministri Mucunski do të marrë pjesë në edicionin e 10-të të konferencës vjetore "Dialogu Mesdhetar" (Rome MED Dialogues), ku do të mbajë fjalim në panelin "Komisioni i ri Evropian, prioritetet e vjetra evropiane".
Shkup – Në transportin publik urban prej sot përfshihen edhe transportuesit privatë, por jo në kapacitet të plotë. Në qarkullim, siç njoftuan të shtunën, do të përfshihen ata transportues të cilët kanë mundësi financiare. Autobusët e NQP – Shkup prej të premten qarkullojnë në terminët e rregullt, por Qeveria të enjten u huazoi naftë vetëm për shtatë ditës, për sa kohë duhet të realizohet furnizimi urgjent përmes Byrosë së Furnizimeve Publike. Transportuesit privatë i bënë thirrje kryetares së Qytetit të Shkupit, këshilltarëve dhe Qeverisë për takim të përbashkët që të gjejnë zgjidhje të përbashkët të pranueshme për kërkesën e tyre për rritje të çmimit për kilometër të kaluar.
Shkup - Komisioni i Kuvendit për Mundësi të Barabarta të grave dhe burrave, në bashkëpunim me Klubin e deputetëve dhe Misionin e OSBE-së në Shkup sot do të mbajë debat publik me temën "Parandalimi dhe mbrojtja nga dhuna ndaj grave dhe dhuna familjare".
Shkup - Në Shkup sot do të mbahet panel diskutim për politikat për licencimin e transmetimit dhe për të ardhmen e shpërndarjes së përmbajtjeve televizive në organizim të Qendrës për Zhvillim të Mediave. "Besojmë se deri më tani ndryshimet në Ligjin për shërbimet mediatike audio dhe audiovizuele për harmonizimin e tij me Direktivën e re për Shërbimet Mediatike Audiovizive të BE-së, nuk janë të mjaftueshme dhe se ligjvënies i nevojitet një reformë më e plotë, që do të sigurojë përshtatjen e tij me tendencat e reja në fushën e transmetimeve televizive dhe funksionimin e medias në përgjithësi në mjedisin e ri dixhital", theksojnë nga Qendra.
Shkup - Në Komunën e Kisella Vodës sot do të bëhet vendosja e gurthemelit për ndërtimin e kopshtit për fëmijë në kuadër të Kopshtit Publik për Fëmijë “8 Marsi”. Kopshti do të ketë kapacitet për të strehuar 120 fëmijë. Me këtë, zgjidhet plotësisht problemi i listave të pritjes në këtë komunë. Sipërfaqja e përgjithshme e kopshtit për fëmijë është 795 metra katrorë, ndërsa objekti përfshin gjashtë kënde për lojra, nga të cilat dy janë për grupmoshën foshnjore. Projekti është në vlerë prej 29.582.242 denarë pa TVSH, ose 34.907.046 denarë me TVSH të përfshirë.
Shkup - Në Muzeun e Qytetit të Shkupit sonte nga ora 19:30 do të shënohet fillimi i fushatës "16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore". Paralajmërojnë diskutim, shfaqje të videove të shkurtra, filma dokumentarë dhe ekspozitë "Plagët e qëndresës, zërat e shpresës" nga Martina Spasovska, ashtu siç sqarojnë ata, me qëllim që të dërgojnë mesazhin se dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk justifikohet kurrë.
Shkup – Moti sot në mëngjes do të jetë i kthjellët dhe i ftohtë, nëpër disa lugina me kushte për paraqitje të mjegullës. Gjatë ditës, moti do të jetë kryesisht me diell me erë të lehtë nga drejtimi i ndryshueshëm. Temperatura minimale do të jetë në interval prej minus 11 deri në minus 3, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 7 deri 14 gradë, informojnë nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.
Romë – Lindja e Mesme, Ukraina dhe zgjedhja e Donald Trampit – këto do të jenë temat udhëheqëse të agjendës së takimit të ministrave të punëve të jashtme të vendeve të G7 në qytetin italian Fjuxhi, rreth 80 kilometra në afërsi të Romës, informon DPA. Takimi do të zgjasë dy ditë dhe ai është i fundit i ministrave të punëve të jashtme të vendeve të G7 për këtë vit, në të cilin Italia është kryesuese me rotacion e G7.
Berlin - Rreth tre muaj para zgjedhjeve të parakohshme në Gjermani, socialdemokratët zyrtarisht do ta emërojnë Olaf Sholcin për kandidat të tyre për kancelar edhe krahas rejtingut të tij jashtëzakonisht të ulët, lajmëroi DPA. Nominimi i tij zyrtar vjen pasi partia ishte ndarë me një debat të ashpër dyjavësh për atë nëse ministri i popullarizuar i mbrojtjes Boris Pistorius duhet të nominohet për kandidat në vend të Sholcit, për të cilin shumica në partinë e Majtë besojnë se duhet të heq dorë.
Uashington - Shumica e amerikanëve janë të kënaqur që Donald Trampi fitoi zgjedhjet presidenciale, si dhe lëvizjet e tij gjatë tranzicionit të pushtetit, tregon anketa e fundit e realizuar nga rrjeti televiziv Si-Bi-Es Njuz dhe kompania e marketingut JuGov. Njëzet e katër për qind e të anketuarve ishin të kënaqur me faktin që Trampi fitoi zgjedhjet, ndërsa 31 për qind deklaruan se ishin të lumtur për këtë, poblikoi Uashington tajms.
Uashington – Këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit të porsazgjedhur amerikan Donald Tramp, Majk Uollc, mbrëmë deklaroi se ai dhe këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit në largim Xhozef Bajden, Xhejk Salivan, punojnë në atë – para armiqve të SHBA-së të përfaqësojnë unitet gjatë kohës së periudhës së transmetimit të pushtetit. Kongresisti republikan Uollc deklaroi se është në kontakt me homologun e tij nga administrata e Bajdenit, në kohë kur SHBA-ja përballet me përshkallëzim të luftës në Ukrainë dhe konflikte në Lindjen e Mesme.
Bejrut – Autoritetet libaneze njoftuan se mësimi në Bejrut dhe rrethinë do të ndërpritet deri në fund të dhjetorit, duke e theksuar situatën e sigurisë pas një serie të sulmeve vdekjeprurëse izraelite ndaj kryeqytetit gjatë ditëve të kaluara. Ministri i Arsimit, Abas Halabi tha se “mësimi me prani fizike” do të ndërpritet në shkollat private, institucione teknike dhe institucione të arsimit të lartë në dhe rreth Bejrutit.