• e premte, 28 qershor 2024
MIA Flesh

15:00/26 qershor/2024

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot ka pritur në takim ambasadorin e Republikës Popullore të Kinës, Xhang Xuo, kumtoi kabineti i tij. Në takim është konstatuar se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve bazohen në miqësi dhe bashkëpunim në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, pas çka presidentja Siljanovska Davkova shprehu gatishmërinë për zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit dypalësh dhe thellimin e miqësisë midis Maqedonisë së Veriut dhe Kinës gjatë mandatit të saj.  Ajo rikonfirmoi qëndrimin e Maqedonisë për respektimin e politikës "Një Kinë".

Shkup - Qytetarët të jenë të qetë, rritje të çmimit të energjisë elektrike nuk do të ketë dhe këtë presë që ta konfirmojë Komisioni Rregullator për Energjetikë, theksoi sot kryeministri Hristian Mickoski. Në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve, pas vendosjes së gurthemelit të shkollës fillore “Shën Kliment Ohrit” në fshatin Draçevë, ai tha se janë plotësuar të dyja kushtet, gjegjësisht deputetët kanë votuar dje ndryshimin e Ligjit për еnergjеtikë si dhe furnizuesi universal “EVN Home” optimizon sasitë që të mos ketë rritje enorme të çmimit të energjisë elektrike.

Shkup - Kryetari i Qeverisë Hristian Mickoski sot konfirmoi se për rritjen e pensioneve do të duhet të pritet rishikimi i Buxhetit, për çka ai dhe ministrja e Financave, siç tha, punojnë në mënyrë intensive dhe i cili është paralajmëruar për në mes të korrikut. Paralajmëroi dy rritje lineare edhe atë me nivelizimin në shtator dhe tjetrin në mars.

Shkup - Sipas marrëveshjes xhentëlmene në koalicionin qeveritar, Izet Mexhiti do të jetë zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë, konfirmoi sot kryeministri Hristian Mickoski. "Sipas ligjit që është në fuqi, Qeveria apo kryeministri ka zëvendës, ndërsa marrëveshjen që kemi brenda koalicionit është që të ketë zëvendëskryeministër të parë dhe ai do të jetë z.Izet Mexhiti. Por kjo është jashtë ligjit. Ligji thotë apo nënkupton vetëm zëvendës të kryetarit të Qeverisë. Ajo që deri tani është bërë në të egër dhe joligjore, nuk do të jetë praktikë në punën e kësaj Qeverie. Por, po, marrëveshja xhentëlmene në kuadër të koalicionit tonë dhe funksionimit tonë është i tillë", tha Mickoski i cili sot mori pjesë në vënien e gurthemelit të shkollës fillore në Draçevë.

Shkup - LSDM, VMRO-DPMNE, BDI nuk i kanë zbatuar plotësisht rekomandimet e bëra nga Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR). E vetmja parti që ka përmbushur rekomandimin është Alternativa. Kjo u tregua nga revizioni i ESHR-së, i bërë në dhjetor të vitit të kaluar. Sa i përket BDI-së, revizorët kanë përcaktuar se partia ka zbatuar vetëm një nga dy rekomandimet.

Shkup - Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka ngritur kallëzim penal kundër Samka Ibraimovskit për veprën penale “rrezikim të sigurisë”, pasi i njëjti në profilin e tij në Fejsbuk ka dërguar kërcënime serioze dhe thirrje për dhunë ndaj gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. Nga MPB sot informuan se e kanë zbardhur në tërësi rastin e paraqitur në Sektorin për krime kompjuterike më 24.06.2024 nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski i cili ka raportuar kërcënime për jetën dhe sigurinë e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese nga S.I. përmes rrjetit social.

Shkup - Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski sot i ka bërë thirrje Prokurorisë Publike që të hetojë punën e HRMV Infrastrukturë dhe Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore (NPRRSH) në bazë të pretendimeve nga raporti për investimet publike të Entit Shtetëror për revizion. Sipas Nikollovskit, Raporti vë në dyshim punën e mëparshme të NPRRSH-së, ndër të tjera në rrugën Drenovë-Gradsko, për të cilin projekt thotë se ka rreziqe nga arbitrazhi, si dhe për rritjen e vlerës së autostradës Kërçovë-Ohër për 175 milionë euro për të cilat janë shpenzuar 446 milionë euro dhe nuk ka përfunduar as pas 10 vitesh nga fillimi i ndërtimit.

Shkup - Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska sot deklaroi se për nxënësit do të ketë libra në vitin e ri shkollor i cili fillon në shtator. "Po, në shtator do të ketë libra. Për shkollën fillore do të ketë libra për të gjithë dhe për shkollat e mesme do të ketë një pjesë më të madhe të librave", deklaroi Janevska e cila mori pjesë në vënien e gurthemelit të shkollës fillore në Draçevë.

Shkup - Marrëveshjet, veçanërisht ato ndërkombëtare dhe ato të përfshira në kornizën negociuese me BE-në duhet të respektohen, deklaroi sot lideri i GERB-it dhe ish kryeministri bullgar Bojko Borisov, duke komentuar deklaratën e kryeministrit të Maqedonisë Hristian Mickoski se nëse ka vullnet politik e mundur është zgjidhje me Bullgarinë dhe ndryshim i kornizës negociuese me BE-në. Borisov thotë se përkundër marrëdhënieve të mira mes tij dhe partnerëve në BE, marrëveshjet duhet të respektohen.

Shkup - Akademikja Zuzana Topolinjska sot në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) është nderuar me Urdhrin për Merita të Republikës së Polonisë, një nga mirënjohjet më të larta shtetërore. Akademikja Topolinjska u nderua nga presidenti i Polonisë, Andzhej Duda, ndërsa urdhri iu dorëzua nga ambasadori i Republikës së Polonisë në Maqedoninë e Veriut, Kshishtof Gzhelçik.

Shkup - Është rritur vlera e projekteve për ndërtimin e fazës së parë dhe të dytë të infrastrukturës hekurudhore të Korridorit 8 në lindje, të filluara në vitin 1996 dhe të cilat ende nuk kanë përfunduar dhe janë paguar komisione për fondet e patërhequra në vlerë prej 4.6 milionë eurosh për shkak të kushteve të paplotësuara për efektivitetin e debisë në një periudhë shtatëvjeçare, gjë që tregon për menaxhim jo efektiv të këtyre projekteve strategjike.

Shkup - Nëpunës policor në koordinim me PTHP Shkup dje në lagjen Hasanbeg kanë ndaluar A.O. (23) për veprën e kryer “shantazh” nga neni 259 i Kodit Penal. MPB-ja njoftoi se një vajzë 20-vjeçare dje ka raportuar në SPB Shkup se A.O. i ka kërkuar 300 euro për të mos publikuar foto dhe video me materiale komprometuese.

Shkup - Një ekip i Ndihmës Urgjente Mjekësore nga Shkupi është bllokuar në ashensor në pjesën e bodrumit në një ndërtesë në rrugën "Hristo Tatarçev" nr.47 në lagjen Kisella Vodë të Shkupit. Për këtë kanë marrë denoncim në telefonin 112 në orën 11:22, informojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK). "Nga ana e QMK urgjentisht janë njoftuar Brigada e Mbrojtjes Kundër Zjarrit dhe SPB Shkup. Ashensori kishte rënë nga kati përdhesë në bodrum. Në të ka pasur një ekip i Ndihmës Urgjente Mjekësore. Të paktën katër persona ishin në ashensor në momentin e rënies, ndërsa nuk ka pasur pacient, sepse ekipi ishte në konstatim të vdekjes", saktësojnë nga QMK.

Shkup - Tre persona nga ekipi i Ndihmës urgjente mjekësore nga Shkupi të cilët u bllokuan në ashensor në bodrumin e një ndërtese në rrugën "Hristo Tatarçev" nr.47 në lagjen e Kisella Vodës ankohen për lëndime. Siç informojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK), ekipi ka lëvizur nga kati përdhese në katin e gjashtë, por kur janë ngjitur mbi katin e dytë ashensori me shpejtësi është lëshuar dhe ka rënë në bodrum. QMK-ja gjatë ditës informoi se në telefonin 112 në orën 11:22 është marrë njoftim për ekipin e Ndihmës urgjente të bllokuar në ashensor në një ndërtesë në Kisella Vodë.

Tetovë - Fillimi i gjykimit të përsëritur në procesin gjyqësor lidhur me zjarrin në spitalin modular të Tetovës, sot në Gjykatën Themelore në Tetovë ishte shtyrë për më 25 shtator të këtij viti për shkak të mungesës së përfaqësuesve të Spitalit Klinik në Tetovë. Gjykata e Apelit në prill të këtij viti mori vendim me të cilin urdhëroi që të ketë përsëri gjykim për ish drejtorët në Spitalin e Tetovës Florin Besimi dhe Artan Etemi, si dhe Institucionin Shëndetësor Publik Spitali Klinik në Tetovë si person juridik. Për mjekun Boban Vuçevski, Gjykata e Apelit në prill të vitit 2024 e refuzoi ankesën e Prokurorisë dhe e konfirmoi aktvendimin e shkallës së parë për shfajësim të tij.

Shkup - Deri të premten do të mbajë mot i ndryshueshëm dhe i vranët, jostabil dhe më freskët me reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima. Nesër në disa vende do të ketë stuhi me reshje të dendura (mbi 30l/m2) për kohë të shkurtër, bubullima, erë të përforcuar (mbi 60km/orë) dhe breshër, kumtoi DPHM-ja. Gjatë fundjavës do të mbajë mot stabil dhe më i nxehtë, ndërsa nga e hëna në fund të ditës sërish priten reshje lokale të rrëmbyeshme dhe bubullima.

Sofje - Presidenti bullgar Rumen Radev sot me një deklaratë thotë se politika e Shkupit është e drejtuar kundër parimeve evropiane. “Qeveria e re në fqinjin tonë ka treguar qartë se frika më e madhe e klasës politike të këtij vendi është njohja e vetë ekzistencës së fjalëve “bullgar” dhe “bullgare”. Kjo është një politikë e drejtuar drejtpërdrejt kundër parimeve evropiane dhe Vendimet e marra me konsensus të të gjitha vendeve anëtare, kundër obligimeve ndërkombëtare, por mbi të gjitha kundër qytetarëve të tyre, të cilët qartë i kanë shprehur ambiciet e tyre për zhvillimin evropian të vendit, tha Radev në një deklaratë për gazetarët në Sofje.

Ankara - Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan sot ka akuzuar forcat perëndimore se mbështesin, siç tha ai, planet izraelite për sulm në Liban dhe "zgjerimin e luftës" në të gjithë rajonin. "Izraeli tani po drejton shënjestrën drejt Libanit dhe ne shohim se forcat perëndimore prapa skenës po i mëshojnë shpinës Izraelit dhe madje e mbështetin", u tha ai deputetëve nga partia e tij në pushtet AKP. “Planet e Netanjahut për të zgjeruar luftën në rajon do të dërgojë në një katastrofë të madhe", theksoi Erdogani.

Bruksel - Shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve të Bashkimit Evropian të cilët nesër do të takohen për një takim dyditor në Bruksel, do të fillojnë takimin me bisedimet për ndihmën ushtarake për Ukrainën me presidentin Volodimir Zelenski, sipas një ftese të dërguar nga kryetari i Këshillit të BE-së, Sharl Mishel deri tek liderët e BE-së. "Takimi jonë do të fillojë të enjten, më 27 qershor në ora 14 me një bisedë me presidentin Zelenski. Kjo do të jetë një mundësi për të diskutuar situatën në terren", shkruan Mishel.

Milano - Milani është i interesuar që të huazoj sulmuesin e Çellsit, Romelu Llukaku, ka publikuar insajderi Xhanula Di Marcio. Përfaqësuesit e “Rosonerëve” kanë qenë në kontakt me klubin londinez të 31-vjeçarit belg. Klubi nga Milano po përpiqet të zbulojë se në çfarë kushtesh është i mundur transferimi. Sezonin e kaluar, Llukaku luajti për Romën në formë huazimi, duke luajtur 47 ndeshje për Romakët në të gjitha garat, shënoi 21 gola dhe katër asistime.

Berlin - Përzgjedhësi i Italisë, Luçiano Spaleti i kërkoi falje gazetarit për deklaratën e tij të vrazhdë. Në konferencën për media pas barazimit (1:1) me Kroacinë të hënën, gazetari i Radio 24, Dario Riçi, pyeti nëse përbërja e fillimit është rezultat i marrëveshjes mes përzgjedhësit dhe ekipit. Spaleti ishte i acaruar me këtë pyetje dhe u përgjigj: "Sa vjeçar je? 51? Ke edhe 14 vjet të arrish moshën time, unë kam 65 vjet".

 

QËNDRONI TË LIDHUR