• e premte, 03 prill 2026
MIA Flesh

12:00 / 2 prill / 2026

Shkup - Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski deklaroi se nuk i pranon kritikat se Ligji për arsim të lartë ka kritere tepër të rrepta, ndërkohë që, siç u shpreh ai, nuk ka asnjë universitet në vend që të jetë në 2500 më të mirët në listën e Shangait. Si mysafir në emisionin e mëngjesit “Maqedonia në mëngjes” në RTVM ai tha se është dëshpëruar nga qëndrimi i profesorit universitar i cili e sulmoi ligjin e propozuar për arsim të lartë. "Dhe, për të qenë i sinqertë, u zhgënjeva, për të mos thënë u trondita. Në një moment, imagjinoni, teza ishte se kriteret janë tepër të rrepta për ligjin e ri për arsimin e lartë për zgjedhjen në tituj akademikë. Pse qenkan të rrepta? Sepse ligji parashikon që kolegët e mi të shkruajnë punime shkencore në revista të njohura që janë pjesë e bazës Web of Science (Thomson Reuters), dhe imagjinoni, për t’u zgjedhur profesor i rregullt, duhet të kenë 4 të tilla brenda 5 viteve, dhe ndërkohë shteti ua mbulon këtë. Dhe kjo qenka kriter i lartë”, tha Mickoski.

Shkup - S.R. (45), i punësuar në Sektorin për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta në MPB, është arrestuar dje pasi lëvizte me veturë në drejtim të kundërt, dhe pasi është ndaluar ka kërcënuar nënpunësit poliorë. "Gjatë kryerjes së rregullimit fizik të trafikut në kryqëzimin e rrugës “Jordan Mijalkov” me rrugën “Dimçe Mirçev” në Shkup, një nëpunës policor nga SPB Shkup ka ndaluar një automjet pasagjerësh “Mercedes”, i drejtuar nga S.R., i cili lëvizte në drejtim të kundërt dhe njëkohësisht tejkalonte kolonën e automjeteve. Pasi iu kërkua dokumenti për identifikim, S.R. është prezantuar si i punësuar në MPB dhe ka deklaruar se nuk ka letërnjoftim me vete, pas çka ka filluar të sillet në mënyrë agresive dhe ta kërcënojë nëpunësin policor", njoftoi MPB. 

Shkup - Në kuadër të vizitës në Paris, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, realizoi takim me këshilltarët e presidentit të Republikës së Francës, Emanuel Makron, i ngarkuar për Evropën Kontinentale dhe Turqinë, si dhe për Evropën, Bertran Bushvalter dhe Aleksis Dutertr. Siç njoftoi MPJdheTJ, në takim u shkëmbyen mendime për procesin euroitegrues dhe ngjarjet aktuale në rajon dhe në Evropë. "Ministri është takuar edhe me drejtorin e Institutit Kombëtar për Shërbime Publike të Republikës Franceze (INSP), Zherom Filipini, gjatë së cilës u nënshkrua një Deklaratë për Qëllime ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Institutit Kombëtar për Shërbime Publike (INSP). Me këtë hapen mundësi të reja për bashkëpunim në trajnimin dhe zhvillimin profesional të nëpunësve të lartë shtetërorë dhe diplomatëve", thuhet në njoftim.

Shkup - Dita Botërore për rritjen e ndërgjegjësimit për autizmin na kujton se forca e vërtetë e një shteti nuk është vetëm në institucionet e tij, por në zemrën e popullit të tij. Në mënyrën se si i pranojmë dallimet dhe si kujdesemi për njëri tjetrin, theksoi kryeministri Hristian Mickoski me rastin e 2 prillit - Ditës Botërore të rritjes së ndërgjegjësimit për autizmin. "Persona me autizëm nuk janë "të ndryshëm nga ne", ata janë pjesë e jona. Ata janë fëmijët tanë, fqinjët tanë, miqtë tanë. Ata janë pasqyra e ndërgjegjes sonë", publikoi Mickoski në Fejsbuk. Si Qeveri, shtoi kryeministri, detyra jonë është që të krijojmë një shoqëri në të cilën çdo fëmijë do të ketë mundësi të barabarta, ndërsa dallimi do të njihet dhe respektohet si vlerë. 

Shkup - Përmes sistemit "Qyteti i Sigurt" në muajin mars janë konstatuar 26.241 kundërvajtje, prej të cilave 70 për kalim në dritën e kuqe në semafor. Në periudhën prej 1 mar të vitit 2026 deri më 31 mars 2026 nga ana e sistemit "Qyteti i Sigurt" në zonat e qyteteve dhe korridoreve ku janë të vendosura kamerat, janë regjistruar gjithsej 26.241 kundërvajtje. "Nga numri i përgjithshëm i kundërvajtjeve të regjistruara për kalim në sinjal të ndaluar (dritë e kuqe), janë konstatuar 70 kundërvajtje, gjë që paraqet ulje prej 68.2 për qind në krahasim me muajin shkurt, numri më i madh i tyre është për drejtim të automjetit me shpejtësi më të madhe nga e lejuara, 25.230 raste, ndërsa gjatë muajit mars janë regjistruar gjithsej 941 kundërvajtje për drejtim të automjetit me afat të skaduar të lejes së qarkullimit", informojnë nga MPB. 

Shkup - Ndërtimi i partneriteteve është thelbi i programit Supershkollat. Kur një shkollë fiton  shkollë partnere nga një vend tjetër, ајо është një lidhje e qëndrueshme dhe bashkëpunim ndërmjet dy institucioneve, mësimdhënësve dhe çka është më e rëndësishmja - ndërmjet nxënësve, tha zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, në promovimin e shkëmbimit shkollor, në kuadër të Skemës për shkëmbim të shkollave në Ballkanin Perëndimor, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe e zbatuar nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) dhe Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ). Siç informoi MASH, Ky shkëmbim shkollor do të zhvillohet ndërmjet shkollës së mesme të Qytetit të Shkupit – gjimnazit “Josip Broz Tito” dhe shkollës së mesme “28 Nëntori” nga Shkodra, Shqipëri.

Shkup - Gjatë tranzicionit, nga shumë njerëz të varfër pak prej tyre u bënë jashtëzakonisht të pasur, prandaj ka zhgënjim dhe emigrim, theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski, në emisionin “Maqedonia në mëngjes” në TVM. Megjithatë, tha se do të vijë koha kur të rinjtë që kanë lënë Maqedoninë për arsye të ndryshme do të kthehen në shtëpi, ndërsa lufta duhet të zhvillohet këtu sepse, siç potencoi, vetëm shtëpia është shtëpi. Mickoski shtoi se kur shteti bëhej i pavarur, kur ndahej nga ish-federata, brezat që ëndërronin për një shtet të pavarur maqedonas, një pjesë prej tyre dhe prindërit e tyre e paguan këtë me jetë, një pjesë përfunduan në burgjet e atëhershme jugosllave sepse kishin ide përparimtare, progresive dhe pro-maqedonase dhe e gjithë kjo ka lënë gjurmë në identitetin maqedonas dhe në kujtesën kolektive.

Shkup - Jemi seriozisht të përkushtuar ndaj investimeve, Buxheti momentalisht është në gjendje të shkëlqyer, ndërsa Ministria e Transportit është redorder në punimet e këtij viti me 65 për qind realizim të investimeve kapitale deri më tani, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski. "Buxheti është në gjendje të shkëlqyer dhe nëse përballemi me një situatë krize të zgjatur ushtarake, me planifikim të mirë do të japim përgjigje serioze. Ekziston një sërë masash që po i ruajmë si rezervë në rast se kjo përshkallëzohet. Unë shpresoj se do të marrë fund, se do të jemi në gjendje të kthehemi në normalitet", tha Nikolloski në një emision në "Top tema" në TV Tellma.

Shkup -Më së ftohti sot në mëngjes është në Kodrën e Diellit, -1 gradë, ku ka edhe shtresë bore prej 72 centimetra. Siç informon DPHM, mëngjesin e sotëm 1 gradë është në Hanet e Mavrovës, 2 gradë në Krushevë dhe Llazaropole, 4 gradë në Pretor, 5 në Ohër dhe Berovë, 6 gradë në Kriva Pallankë, Manastir dhe Prilep, 7 gradë në Tetovë, 8 në Shkup - Petrovec, Shkup - Zajçev Rid, Kumanovë, Shtip, Vinicë, Kavadar, Demir Kapi dhe Strumicë dhe 9 gradë në Gjevgjeli. Në 24 orët e fundit më së shumti shi (40 litra për metër katror) kanë rënë në Hanet e Mavrovës, 35 në Kodrën e Diellit, 17 në Manastir, 13 në Krushevë, 8 litra në Demir Kapi, Gjevgjeli dhe Pozharanë, 7 në Shkup - Petrovec, Shkup - Zajçev Rid dhe në Lazaropole, 6 në Pretor dhe Pozhar-Radovish, 5 litra në Kriva Pallankë, Tetovë dhe Prilep, 4 në Kumanovë, Veles dhe Kavadar, 2 në Vinicë dhe Strumicë dhe 1 litër për metër katror në Shtip, Gjurishtë dhe Topolçan.

Shkup - Dukshmëri e ulur deri në 100 metra për shkak të mjegullës këtë mëngjes ka në Krushevë, njoftoi NP "Rrugët e Maqedonisë". Reshje bore, të cilat mbeten në rrugë, ka në Kodrën e Diellit, ndërsa në Mavrovë ka reshje të lehta bore, të cilat nuk mbeten në rrugë.

Athinë – Një person ka humbur jetën si pasojë e motit të ligë i cili i kaploi disa rajone në Greqi, i shoqëruar me reshje të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë të fuqishme. Shërbimet zjarrfikëse herët në mëngjes nxorën një trup të pajetë të një burri nga nën automobili në rajonin e Nea Makri, në pjesën lindore të zonës Atika. Në intervenim morën pjesë katër zjarrfikës me dy automjete. Sipas informacioneve mediatike, bëhet fjalë për një burrë me origjinë polake i cili jetonte në bodrum. Gjatë vërshimeve kishte dalë që ta kontrollojë gjendjen, pas çka ishte marrë nga ujërat e mbledhura. 

Romë – Një stuhi e fortë ka goditur Italinë qendrore dhe jugore, duke shkaktuar përmbytje, rrëshqitje toke dhe shembjen e një ure në rrugën shtetërore "Adriatika 16", ndërsa disa zona kanë mbetur pa ujë dhe energji elektrike. Ura mbi lumin Trinjo është shembur në rajonin Molize, në afërsi të qytetit Montenero di Biszaça, pasi rruga ishte mbyllur më parë për shkak të daljes së lumit nga shtrati, transmetoi Ansa. Si pasojë, lidhjet rrugore me rajonin Abruco janë pothuajse të ndërprera. Në rajonin Abruco, në provincën Peskara, spitali në vendin Pene ka mbetur pa furnizim të drejtpërdrejtë me ujë për shkak të çarjes së ujësjellësit, ndaj furnizimi me ujë përkohësisht po sigurohet me cisterna. Mungesë uji është raportuar edhe në disa komuna përreth.

Londër - Menaxheri i Anglisë, Tomas Tuhel e komentoi humbjen e Anglisë (0:1) në ndeshjen miqësore kundër Japonisë. "Sigurisht, është dëshpëruese. Humbja është çdoherë dëshpëruese, posaçërisht në shtëpi. Mendoj se nuk u dënuam për asgjë të rëndësishme, përveç se për një kundërsulm në pjesën e parë. Megjithatë, na duhen ndeshje të tilla. Ata janë kundërshtar i vështirë. Nuk mund të llogarisnim në numër të madh të lojtarëve, prej këtu duhej përsëri të provonimin taktikë të re. Eksperimentuam dhe duhet të punojmë në gabimet tona", deklaroi Tuhel për mediumet britanike.

Dubai - Teherani do të vazhdojë luftën e tij në Lindjen e Mesme derisa Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli të përballen me "keqardhje dhe dorëzim të përhershëm", deklaroi sot zëdhënësi i komandës së përbashkët të forcave të armatosura. Kërcënimi erdhi pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, deklaroi se Uashingtoni do ta sulmojë Iranin “jashtëzakonisht ashpër” brenda disa javësh, edhe pse Irani është “shkatërruar në thelb” dhe SHBA-ja është në rrugën e duhur për të arritur qëllimet e tyre ushtarake. Ebrahim Zolfakari, zëdhënës i Komandës Qendrore Hatam al-Anbija, u përgjigj se vlerësimet e SHBA-së dhe Izraelit për kapacitetet ushtarake të Iranit janë "të paplota".

Kabul - Të paktën 48 persona e kanë humbur jetën, ndërsa 73 janë lënduar në shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet e papritura në 20 provinca në Afganistan që nga 26 marsi, sipas shifrave të publikuara nga agjencia për menaxhim me fatkeqësi, e drejtuar nga talebanët. Vetëm në 24 orët e fundit, gjashtë persona e kanë humbur jetën, ndërsa shtatë janë lënduar, thuhet në kumtesën, ndërsa përmbytjet, rrëshqitjet e dheut dhe stuhitë dëmtuan shtëpi, rrugë, dyqane dhe toka bujqësore në një pjesë të gjerë të vendit.

Nju-Jork – Në botë sot shënohet Dita Botërore për rritjen e ndërgjegjësimit për autizmin nën temën "Autizmi dhe njerëzimi - çdo jetë ka vlerë". Në një kohë kur dezinformimi dhe retorika regresive rreth jetës së personave autikë po rishfaqen, ngjarja virtuale e këtij viti është një thirrje për veprim për të kapërcyer narrativat kufizuese dhe për të njohur dinjitetin e lindur, të drejtat e barabarta dhe vlerën e pakushtëzuar të çdo personi autik", kumtuan nga OKB-ja. Duke pohuar se jeta e personave autikë është pjesë e progresit tonë kolektiv dhe arritjes së Qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm, shënimi i këtij viti bën thirrje për një të ardhme ku diversiteti respektohet, dinjiteti mbrohet dhe çdo person autik mund të përparojë", theksuan nga OKB-ja.

QËNDRONI TË LIDHUR