• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mexhiti: Do të ketë ndryshime dhe do të ketë qeveri jo me 61, por me mbi 70 deputetë, për VLEN-in bojkoti i zgjedhjeve presidenciale nuk është opsion

Mexhiti: Do të ketë ndryshime dhe do të ketë qeveri jo me 61, por me mbi 70 deputetë, për VLEN-in bojkoti i zgjedhjeve presidenciale nuk është opsion

Shkup, 3 maj 2024 (MIA) - Liderët e partive nga Koalicioni VLEN sot në konferencë për shtyp e akuzuan BDI-në se dëshiron të shkaktojë krizë politike në vend nga frika e humbjes në zgjedhje dhe i kërkuan kryetarit të partisë, Ali Ahmeti që të përgjigjet nëse janë duke përgatitur bojkoti të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale.

"Nga frika e disfatës që pa asnjë dyshim po e pret, BDI-ja veç më e ka humbur busullën! Andaj qëllimi i tyre i vetëm tani është të shkaktojnë krizë politike për të shpëtuar të korruptuarit në radhët e veta, duke u munduar që qeveria teknike të zgjasë më shumë se 100 ditë. Qëllimet e Ali Ahmetit ishin të qarta dhe VLEN e paralajmëroi opinionin që në momentin kur me kandidimin e Bujar Osmanit, BDI-ja me paramendim e shteri mundësinë që Arben Taravari të hynte në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Prandaj, sot publikisht pyesim Ali Ahmetin: A është e vërtetë se ju u keni dhënë urdhër organizatave komunale që të organizojnë bojkot të rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, edhe pse jeni takuar me Stevo Pendarovskin dhe i keni premtuar mbështetje? Nëse kjo është e vërtetë, tregojini publikut pse nuk i bojkotuat zgjedhjet presidenciale 2019? Çfarë ka ndryshuar që atëherë? A jua turbullon dioptrinë frika nga dështimi? Apo me urdhër të qendrave ruse të pushtetit doni të pengoni një shumicë të re parlamentare të sigurojë ndryshime kushtetuese në afat prej 6 muajve pas formimit të qeverisë së re?", tha Izet Mexhiti kryetar i Lëvizjes Demokratike që është pjesë e Koaliconit VLEN.

Mexhiti pyet BDI-në "pse punojnë kundër interesave të BE-së dhe SHBA-së".

"Mjaft krijuat mjegull, por përgjigjuni këtyre pyetjeve që janë jetike për të ardhmen e vendit. Tani kur vjen koha për të marrë përgjegjësinë për skandalet korruptive, ju përpiqeni në mënyrë tinëzare ta keqpërdorni gjithë popullin shqiptar si mburojë, si dhe komunitetet më të vogla etnike të cilët i përdorni si pengje. Këto truqe tashmë të para, nuk kalojnë. Pas 8 majit do të ketë Qeveri me VLEN si përfaqësuesin e vetëm legjitim politik të shqiptarëve, do të ketë edhe shumicë të Badinterit, do të sigurohen fondamentet e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe do të ketë përgjegjësi për të gjithë ata që kanë bërë gabime para ligjeve. Nuk mundet dhe nuk guxohet që shkuarjen e BDI-së në në opozitë ta paraqisni si problem për mbijetesën e shtetit. Kjo është skajshmërisht e papërgjegjshme dhe qyqare. Prandaj ju bëjmë thirrje që të ndaloni së turpëruari shqiptarët dhe luftëtarët e lavdishëm të UÇK-së. Nuk është fundi i botës nëse shkoni në opozitë. Si legalistë dhe demokratë me kredibilitetin tonë politik, garantojmë se nuk do të ketë revanshizëm, por do të ketë vetëm përgjegjësi atëherë kur ajo do të dëshmohet në procedura korrekte të jurisprudencës", tha Mexhiti.

Në pyetjen e gazetarëve se a do të bëjnë koalicion me VMRO-DPMNE-në dhe ZNAM ai nuk është përgjigjur drejtëpërrejtë, por tha se do të ketë ndryshime dhe qeveri të re.

"Ne jemi të fokusuar në promovimin intensiv të programit tonë, platformës sonë, në kontaktet e drejtpërdrejta me votuesit. Por duket se vullneti i popullit është që të ketë ndryshime dhe të ketë një qeveri jo me 61 por me mbi 70 deputetë. Do të ketë mbështetje nga shumica e deputetëve shqiptarë dhe me shumicë të madhe nga Badenteri", tha Mexhiti.

Në pyetjen retorike se megjithatë nuk do të ketë dy të tretat e shumicës që është e nevojshme për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, Mexhiti thotë “nuk do të thoja”.

I pyetur nëse do t'u bënin thirrje votuesve të tyre që të mbështesin njërin nga dy kandidatët në garën presidenciale, Mexhiti tha se kjo është e drejta e tyre për të votuar dhe nuk do të japin udhëzime për këtë.

Ai konformoi se edhe për Koalicionin VLEN bojkoti i zgjedhjeve nuk është opsion.

"Më 8 maj, mendoj se pjesëmarrja do të jetë edhe më e madhe pasi që zgjedhjet (presidenciale) mbahen së bashku me zgjedhjet parlamentare. Në bojkot bëjnë thirrje ata që e kanë humbur busullin, thotë ndër të tjera Mexhiti. ls/

Foto: MIA 

QËNDRONI TË LIDHUR