• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mexhiti: Askush nuk është mbi ligjin, ta lëmë gjykatën dhe prokurorinë ta zbardhin rastin në Kumanovë

Mexhiti: Askush nuk është mbi ligjin, ta lëmë gjykatën dhe prokurorinë ta zbardhin rastin në Kumanovë

Kumanovë, 5 dhjetor 2024 (MIA) - Të lëmë që gjykata dhe prokuroria t'i zbardhin rastet në Kumanovë, sepse janë në interes të sigurisë së përgjithshme, deklaroi sot nënkryetari i parë i Qeverisë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në Likovë, ku mori pjesë në aksionin e mbjelljes së fidanëve në kuadër të projektit për pyllëzimin e tokës së degraduar.

"T'i lëmë organet që merren me të dhe që t'i zbardhin ato raste, sepse janë në interes të sigurisë së përgjithshme dhe në interes të qytetarëve. Porosia është se askush nuk është mbi ligjin, kushdo që shkel ligjin do të përballet me të", ka thënë Mexhiti.

Ndërkohë, kryetarja e Këshillit të komunës së Kumanovës, Ivana Gjorgjievska në ngjarjen për mbjelljen e fidanëve në parkun e qytetit apeloi deri te këshilli lokal që rasti të zbardhet sa më shpejt që të mos krijohen tensione ndëretnike në Kumanovën multietnike.

"Këshilli lokal për parandalim është mbajtur në momentin e duhur dhe se të gjithë të pranishmit kemi apeluar të mos ngrihen tensione ndëretnike", ka thënë Gjorgjievska.

Policia kumtoi se është zbardhur rasti me automjetet e djegura dhe një objekti në Kumanovë, ku autori i krimit, tridhjetë e pesë vjeçari nga Kumanova F.A. është privuar nga liria në zonën e Bit Pazarit pas informatave të marra dhe në koordinim me SPB Kumanovë me Departamentin e policisë kriminalistike pranë Byrosë për siguri publike dhe SPB Shkup dhe nëpunësit policor nga njësiti policor për intervenim në SPB Shkup. 

Ai dyshohet se më 2 dhjetor të këtij viti në Kumanovë ka djegur tri automjete dhe një lokal afarist në Kumanovë, kanë thënë nga SPB e Kumanovës. F.A është arrestuar dhe mbajtur në stacionin policor në Kumanovë dhe pas dokumentimit të plotë të rastit kundër tij do të ngritët kallëzim përkatës.

Njëra nga automjetet e djegura është në pronësi të prokurorit, Xhelal Bajrami, ndërsa shtypshkronja në pronësi të këshilltarit të BDI-së, Fitor Jakupi. 

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR