• e diel, 24 nëntor 2024

Mesiq: Arkitektura në kufijtë e rajonit është kompletuar me pavarësinë e Kosovës, por ende ka rreziqe

Mesiq: Arkitektura në kufijtë e rajonit është kompletuar me pavarësinë e Kosovës, por ende ka rreziqe

Prishtinë, 12 qershor 2024 (MIA) - Ish presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq deklaroi se arkitektura e kufijve në rajon ka përfunduar me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, por se "ende ekzistojnë kërcënime dhe rreziqe nga të ashtuquajturit projekte megashtetërore".

Mesiq, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e 25 vjetorit të çlirimit tha se "Bashkimi Evropian është shtëpia e përbashkët e rajonit, ndërsa NATO ombrellë e përbashkët e sigurisë dhe ekonomisë".

"Këtë e them pikërisht këtu në Prishtinë, në Republikën e Kosovës, duke përkujtuar 25 vjet nga çlirimi i Kosovës në radhë të parë falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht të Aleancës së NATO-s dhe SHBA-së", deklaroi Mesiq.

Edhe pse u konsiderua se kohët më të vështira kaluan, shtoi ai, ende ka nevojë për veprim dhe prezencë të bashkësisë ndërkombëtare në rajon, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnje e Hercegovinë.

"Patjetër duhet të jemi gjithmonë të gatshëm të përballemi me shumë sfida, në fakt sfida të vjetra të cilat janë të ridizajnuar. Lirisht mund të themi se arkitektura kufitare në rajon u kompletua me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht, ka ende kërcënime dhe rreziqe nga të ashtuquajturat projekte megashtetërore. Paqja dhe stabiliteti duhet të jenë vendet tona të shenjta që duhet të sigurojnë prosperitet për të gjithë ne. Përgjigja më e mirë për të gjitha sfidat dhe kërcënimet është perspektiva euroatlantike", porositi Mesiqi. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR