• e enjte, 26 dhjetor 2024

Merren në pyetje familja e babait të Vanjës, gjykimi vazhdon më 20 nëntor

Merren në pyetje familja e babait të Vanjës, gjykimi vazhdon më 20 nëntor

Shkup, 15 nëntor 2024 (MIA) - Në Gjykatën Themelore Penale Shkup lidhur me vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit sot me propozim të Prokurorisë publike u morën në pyetje prindërit, motra dhe nipi i babait të Vanjës.  

Në seancë, ata folën për momentin kur mësuan se Vanja ishte zhdukur dhe kërkimet për te. Ata folën edhe për marrëdhëniet e tyre familjare dhe gjendjen financiare.

Zoran Gjorçevski, babai i Aleksandrit, para gjykatës sot ka deklaruar se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjen, ndërsa për zhdukjen e Vanjës ka mësuar nga ish bashkëshortja.

"Jam në kontakt të vazhdueshëm me familjen, telefonova dhe nëna e Sashos qante, më tha se Vanja është zhdukur. E kërkova Aleksandrin të më tregojë se çfarë duhet, ai më tha se Vanja është zhdukur. E vura veten në dispozicion sipas nevojës, në çdo kohë, tregoni ku të përfshihem", tha ai.

Ai shtoi se Aleksandri i kërkoi të kontaktonte me disa që mund të ndihmonin, duke telefonuar miqtë e tij brenda dhe jashtë vendit.

"Telefonova në Greqi një partner biznesi nëse kishte ndonjë njohuri", tha ai. 

I pyetur nëse e njeh Goce Trajkovskin, ai është përgjigjur se ata kanë qenë kumbarë dhe se në kontakt me familjen ka kuptuar se edhe Goce ka marrë pjesë në hetim.

Babai i Aleksandrit tha se Aleksandri punonte, nuk kishte borxhe dhe një kohë të gjatë kishte një varësi nga e cila u shërua, ndërsa më pas u martua.

Sa i përket pyetjes se a ka dijeni për pronësinë e banesës së Naum Naumovski Borçe, ai u përgjigj jo. "Në martesën e tyre çka kanë poseduar, çka kanë pasur, kjo është punë e tyre, si i morën, si i blenë, ata janë familje dhe nuk e di", tha ai.

Nëna e Aleksandrit, Ivanka Gjorçevska, në seancë tha se Aleksandri ka jetuar me të, pastaj me Zoricën, ndërsa pas divorcit është kthyer tek ajo në vitin 2018.

"Punonte, por bëri një pushim për një vit. Ka 22 vite stazh, ka qenë në marrëdhënie pune. Kur lindën fëmijët, Sashko pushoi së punuari, kujdesej për fëmijët", tha ajo.

E pyetur se ku ishte Aleksandri më 27 nëntor 2023, ajo tha se Zorica e telefonoi në mëngjes dhe i tha se Vanja ishte zhdukur.

"Unë shqetësohesha se mos ndoshta është grabitur për organe apo prostitucion", tha ajo.

Në seancën e sotme për shkaqe shëndetësore nuk është paraqitur dëshmitari, Goce Trajkovski.

Në seancat e kaluara, ka dëshmuar nëna e Vanjës, vajza e Zhezhovskit dhe burri i saj, si dhe disa persona të përfshirë në hetimin e dy vrasjeve, mes tyre inspektorë dhe anëtarë të partisë politike “E Djathta”.

Gjatë seancës së parë të akuzuarit Lupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev dhe Vlatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski deklaruan se nuk ndihen fajtorë. Sipas aktakuzës, ata bashkë planifikuan grabitjen e vajzës 14-vjeçare me qëllim që të detyrojnë një anëtar të familjes së saj më të ngushtë të japë të holla si shpërblim. Përderisa grabitja e të dëmtuarit Pançe Zhezhovski në Veles ishte bërë me qëllim që ta detyrojnë që t'ua japë veturën “Citroen” që ta shfrytëzojnë për grabitje të fëmijës në Shkup.

E mitura Vanja dhe Pançe nga Velesi të cilët ishin raportuar si të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, ishin gjetur të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit më 3 dhjetor 2023. 

Lidhur me këtë rast është i dyshuar edhe një person për ndihmë pas kryerjes së veprës penale kundër të cilit procedura do të zhvillohet veçmas. 

Gjykimin e udhëheq gjykatësi Ivica Stefanovski, ndërsa përfaqësues i akuzës është prokurorja Zhaklina Kërstevska.

Gjykimi vazhdon më 20 nëntor. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR