• e premte, 27 dhjetor 2024

Merkel do të marrë "Kryqin e Madh të Urdhrit për merita", dekorata më e lartë e Gjermanisë

Merkel do të marrë

Berlin, 29 mars 2023 (MIA) - Ish kancelarja gjermane Angela Merkel do të marrë "Kryqin e Madh të Urdhrit për merita", që është dekorata më e lartë e Gjermanisë, konfirmoi zyra e presidentit Frank-Valter Shtajnmajer, pas një raporti të revistës "Shtern".

Deri më tani këtë mirënjohje e kanë marrë vetëm ish-kancelarët Konrad Adenauer dhe Helmut Kol. Të tre politikanët janë nga partia konservatore e Unionit Kristian Demokrat (CDU).

Urdhri me një dizajn të veçantë do t'i dorëzohet asaj në prill, njoftoi zyra e presidentit gjerman.

Mbi këtë çmim është vetëm "Kryqi i Madh", i cili i jepet çdo presidenti gjerman pas marrjes së detyrës, si dhe krerëve të huaj të shteteve.

Merkel ishte kancelare nga viti 2005 deri në vitin 2021. Sipas revistës "Shtern" në ceremoni do të marrin pjesë familja e saj dhe miq të shumtë nga politika.

Ftesat u janë dërguar kolegëve të partisë CDU, Thomas de Mezier dhe Piter Altmaer, dhe ajo ka ftuar zëvendëskancelarin e saj të parë nga Partia Social Demokrate (SPD), zëdhënësin e qeverisë së saj dhe bashkëpunëtorë të ngushtë.

Revista "Shtern", megjithatë, thekson se lista e të ftuarve në ceremoni nuk përfshin askënd nga lidershipi aktual i CDU-së apo partia simotër e saj, Unioni Kristian Social bavarez (CSU), si dhe Partia Demokratike e Lirisë e orientuar nga biznesi (FDP).

Prandaj janë ftuar ish-aktivisti i të drejtave civile të Gjermanisë Lindore Rajner Epelman, aktori Ulrih Mates dhe ish-trajneri i kombëtares së futbollit Jirgen Klinsman. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR