• e enjte, 26 dhjetor 2024

Merc tërhoqi deklaratën se CDU qëndron për bashkëpunim me AfD-në në nivel lokal

Merc tërhoqi deklaratën se CDU qëndron për bashkëpunim me AfD-në në nivel lokal

Berlin, 24 korrik 2023 (MIA) - Kryetari i Unionit Demokristian (CDU) Fridrih Merc shkaktoi reagime të shumta negative pas deklaratës së tij se bashkëpunimi me Alternativën për Gjermaninë e djathtë populiste është i mundur në nivel lokal, pas së cilës ai e tërhoqi sot.

"Për të sqaruar dhe theksuar edhe një herë: Unë nuk kam pretenduar kurrë të kundërtën: vendimi i CDU-së qëndron. Në nivel lokal, nuk do të ketë bashkëpunim mes AfD dhe CDU", tha Merc në Tuiter.

Të dielën në mbrëmje, kryetari i partisë më të fortë opozitare në Gjermani, Fridrih Merc, në një intervistë për shërbimin publik ZDF tha se bashkëpunimi me AfD-në duhet të bëhet në komunat dhe qytetet ku kjo parti merr pjesë në qeverisje.

"Duhet të pranojmë rezultatet e zgjedhjeve demokratike. Dhe sigurisht, është e nevojshme të kërkohen zgjidhje në parlamentet lokale se si të formësohet jeta e përditshme në qytete dhe rrethe", tha Merc gjatë intervistës.

Menjëherë pas kësaj, ai ripohoi qëndrimin e tij nga intervista në Tuiter, duke folur për nevojën për të punuar me AfD-në, e cila ka fituar zgjedhjet lokale në disa qytete dhe rrethe në Gjermaninë Lindore javët e fundit.

Merc shkeli kështu qëndrimin e deklaruar të CDU-së se ajo nuk do të bashkëpunonte kurrë me partitë e ekstremit të djathtë dhe të majtë si AfD ose Partia e Majtë, e cila i ka rrënjët në partinë SED të regjimit të Gjermanisë Lindore.

Kryetari i Unionit Kristian Social (CSU), i cili përfaqëson opsionin Kristian Demokrat në Bavari dhe që së bashku me CDU-në formojnë Unionin CDU/CSU në nivel federal, Markus Soder u distancua nga Merc dhe tha në Tuiter se CSU "kurrë në asnjë nivel" nuk do të bashkëpunonte me AfD.

"AfD është një parti antidemokratike, e ekstremit të djathtë që është për ndarjet në shoqëri. Nuk është në përputhje me vlerat e CSU", tha Soder.

Po kështu kanë reaguar edhe kolegët e Mercit në parti, të cilët kanë vënë në dukje qëndrimet antidemokratike të AfD-së.

"AfD njihet vetëm për kundërshtim dhe refuzim. Ku ka vend për bashkëpunim? CDU nuk mund dhe nuk do të bashkëpunojë me një parti, programi kryesor i së cilës është urrejtja, përçarja dhe izolimi i të tjerëve", tha kryetari i CDU-së për Berlinin dhe kryebashkiak i qytetit-krahinës federale të Berlinit, Kai Vegner.

Anëtari i Kryesisë së CDU-së Norbert Rentgen tregoi se kushdo që dëshiron të devijojë nga qëndrimi i votimit anti-AfD të CDU-së duhet ta bëjë këtë me një shumicë në kuvendin e partisë.

Partia Social Demokratike (SPD) në pushtet e Gjermanisë kritikoi deklaratën e Mercit, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i SPD-së Kevin Kunert  parashikoi një "betejë mbi drejtimin" brenda CDU-së.

Komenti i Fridrih Merc u kritikua ashpër nga Partia e Gjelbër, e cila është në koalicion me CDU-në në disa shtete të rëndësishme si Rajna Vestfalia-Veriore dhe Baden-Virtemberg.

Kryetari i AfD-së Timo Çrupala tha se ishin shfaqur çarje në "murin e zjarrit të kampit Kristian Demokrat- Të Gjelbër" drejtuar kundër AfD-së.

"Ne do t'i shembim ato mure në nivel lokal dhe federal në interes të qytetarëve, mirëqenies, lirisë dhe sigurisë", tha Çrupala.

Popullariteti i AfD-së fuqishëm po rritet në javët e fundit në anketat e fundit të mendimit publik. Sipas anketave të fundit të fundjavës, AfD, është në partinë e dytë më të popullarizuar me 22 për qind mbështetje. sa/ 

QËNDRONI TË LIDHUR