• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Merc me Trampin ka biseduar për blerjen e sistemeve "Patriot" për Ukrainën

Merc me Trampin ka biseduar për blerjen e sistemeve

Berlin, 4 korrik 2025 (MIA) - Kancelari gjerman Fridrih Merc ka pasur bisedë telefonike me presidentin amerikan, Donald Tramp për iniciativën e Gjermanisë për të blerë sisteme amerikane të mbrojtjes ajrore "Patriot" për Ukrainën, konfirmoi sot një zëdhënës i Qeverisë gjermane.

Biseda e iniciuar nga Merci ka pasur për qëllim inkurajimin e dërgesave të reja të armëve për Ukrainën, veçanërisht sistemeve "Patriot", pasi që Pentagoni ndaloi dërgesat e disa armëve kyçe, sqaroi zëdhënësi.

Gjermania për momentin po zhvillon bisedime intensive për të blerë sisteme shtesë "Patriot" për Ukrainën, me qëllim që ta ndihmojë atë të mbrohet prej disa sulmeve më intensive ruse që nga fillimi i luftës në vitin 2022.

SHBA-ja së fundmi pezulloi dërgimin e disa pjesëve të armatimeve për Ukrainën për shkak të rezervave të reduktuara në depot e veta.

Berlini deri më tani ka dërguar tre sisteme "Patriot" nga rezervat e veta, ndërsa ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, muajin e kaluar nisi një iniciativë për t'i siguruar Ukrainës sisteme shtesë.

"Problemi është urgjent, ndërsa situata në mënyrë shtesë u përkeqësua midis së enjtes dhe së premtes", tha zëdhënësi.

Kancelari Merc, sipas DPA-së, shfaqi shqetësimin se sulmi masiv ndaj Ukrainës ndodhi menjëherë pas bisedës së djeshme midis Putinit dhe Trampit. Ai theksoi se i njëjti "model sjellje" është demonstruar në disa raste nga presidenti rus - se çdo telefonatë me të shpesh pasohet nga një përshkallëzim i sulmeve.

Sipas autoriteteve ruse, Rusia kreu mbi 500 sulme me dron dhe raketa ndaj Ukrainës vetëm gjatë një dite. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR