MekGret për ENR: Ne nuk duam të ndëshkojmë, por KE duhet të reagojë kur ka shkelje të sundimit të së drejtës
- Mjetet që kemi tani për të tejkaluar çështjet që lidhen me sundimin e së drejtës janë zhvilluar vitet e fundit dhe ne duhet të mësojmë nga përvoja dhe të mendojmë se çfarë ndryshimesh duhet të vendosim, nëse janë të nevojshme, deklaroi komisari i BE-së për Demokraci, Drejtësi, Sundim të së Drejtës dhe Mbrojtje të Konsumatorëve Majkëll MekGret në intervistë për Redaksinë Evropiane të Lajmeve (ENR), pjesë e së cilës është edhe MIA.
- Post By Fami Bajrami
- 15:50, 2 korrik, 2025
Bruksel, 2 korrik 2025 (MIA) - Mjetet që kemi tani për të tejkaluar çështjet që lidhen me sundimin e së drejtës janë zhvilluar vitet e fundit dhe ne duhet të mësojmë nga përvoja dhe të mendojmë se çfarë ndryshimesh duhet të vendosim, nëse janë të nevojshme, deklaroi komisari i BE-së për Demokraci, Drejtësi, Sundim të së Drejtës dhe Mbrojtje të Konsumatorëve Majkëll MekGret në intervistë për Redaksinë Evropiane të Lajmeve (ENR), pjesë e së cilës është edhe MIA.
"Mendoj se Komisioni ishte shumë aktiv në fushën e sundimit të së drejtës, duke përfshirë edhe atë përmes një varg të tërë procedurash të nisura për kundërvajtje. Gjykata e Drejtësisë vendosi në favor të Komisionit, e më pas u përdorën instrumente të ndryshme për bllokimin e fondeve, gjë që nuk është diçka që duam ta bëjmë. Duam që mjetet e BE-së të jenë në dispozicion të vendeve anëtare dhe përdoruesve përfundimtarë të programeve të ndryshme, por ku shohim shkelje të sundimit të së drejtës, atëherë, sipas marrëveshjeve, kemi detyrim të veprojmë", deklaroi MekGret.
Ai theksoi se në Udhërrëfyesin për përpilimin e Kornizës së ardhshme financiare shumëvjeçare të BE-së, thuhet qartë se asnjë euro nuk do të jetë në dispozicion për shtetet anëtare ku nuk respektohet sundimi i së drejtës.
Lidhur me informacionet për rastet e korrupsionit dhe keqpërdorimit të fondeve evropiane në disa vende anëtare të BE-së, MekGret shprehet se hetimet për pretendimet për korrupsion janë përgjegjësia kryesore e vendeve të prekura, por se ka instrumente dhe organizata të tjera që mund të përfshihen në procedurën e hetimit.
"Nuk do të ishte e përshtatshme për mua të komentoj ndonjë akuzë specifike dhe ato duhet të hetohen nga organet kompetente, e pastaj do të shqyrtojmë gjendjen e përgjithshme në lidhje me sistemin e vendosur kundër korrupsionit, si pjesë e procesit të Raportit të sundimit të së drejtës, theksoi MekGret, duke shtuar se Komisioni Evropian tani është në fazën e finalizimit të Raportit të sundimit të së drejtës për vitin 2025.
I pyetur se çfarë masash planifikon Komisioni Evropian në lidhje me shqetësimin rreth rolit të inteligjencës artificiale dhe ndikimin e saj në përhapjen e dezinformatave, MekGret u përgjigj se BE tashmë ka Ligjin e Inteligjencës Artificiale, i cili përcakton standardet për rregullimin e tij.
"Ne besojmë se ka nevojë për masa mbrojtëse të caktuara në kontekstin e inteligjencës artificiale, e cila mund të jetë jashtëzakonisht pozitive dhe e fuqishme si mjet, veçanërisht kur bëhet fjalë për rreziqet, përfshirë demokracinë", shprehet MekGret.
Sipas tij, roli i inteligjencës artificiale për shpërndarjen eksponenciale të përmbajtjes me qëllim të ndikimit të mundshëm është veçanërisht i dukshëm në prag të zgjedhjeve, të cilat mund të kenë një ndikim serioz në demokracinë.

- Prandaj, duhet të kemi kujdes nga ai rrezik. Derisa përgjigjja kryesore legjislative ndaj rrezikut të bazuar në IA është brenda kornizës së Ligjit të Inteligjencës Artificiale, ka implikime të mundshme për demokracinë dhe për këtë arsye ne do ta përfshijmë këtë në fushën e vlerësimit tonë, por nuk dua të përcaktoj paraprakisht se cili mund të jetë rezultati", tha MekGret.
Për sa i përket mbrojtjes së konsumatorëve nga produktet potencialisht të dëmshme që importohen në BE përmes platformave të tregtisë elektronike si Shein ose Temu, rreth 90% e të cilave janë nga Kina, MekGret shprehet se Bashkimi ka "ligje të forta" për t'u përballur me sfidat e tregtisë elektronike.
"Në fillim, duhet të them se tregtia elektronike është një gjë pozitive, është këtu dhe vetëm do të rritet, dhe natyrisht shumë kompani evropiane përfitojnë plotësisht nga përfitimet e mëdha të ofruara nga tregtia elektronike. Megjithatë, ne thjesht nuk mund të injorojmë rreziqet shumë serioze që tani manifestohen në drejtim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe sigurisë së produktit", shtoi MekGret.
Sipas tij, duhet të jetë e qartë se kur importohet ndonjë produkt në Bashkimin Evropian, duhet të respektohen ligjet evropiane për sigurinë e produkteve dhe mbrojtjen e konsumatorëve, meqë 450 milionë konsumatorë evropianë nuk mund të lejohen të ekspozohen ndaj rreziqeve të produkteve të pasigurta.
Duke iu referuar masave për mbrojtjen e të miturve në internet, MekGret shprehet se me Ligjin e Shërbimeve Digjitale ka detyrime të qarta për platformat e internetit në kontekstin e mbrojtjes së fëmijëve.
"Karakteristika të caktuara të disa videolojërave ngrenë pyetje reale në lidhje me përshtatshmërinë e fëmijëve të vegjël që kanë qasje në veçoritë e lojërave të fatit. Prandaj, të gjitha këto do t'i shqyrtojmë si pjesë e propozimit për Ligjin për Drejtësinë Digjitale. Ne presim
të fillojmë konsultim publik për këtë së shpejti dhe të paraqesim një propozim për Ligjin e Drejtësisë Digjitale", shprehet MekGret.
Lidhur me akuzat e kryeministrit hungarez Viktor Orban se Brukseli "orkestroi" Paradën e Krenarisë të mbajtur në Budapest të shtunën, MekGret thotë se nuk kishte "orkestrim nga Bashkimi Evropian" në këtë ngjarje.
"Mendoj se ajo që pamë ishte një reagim organik i organizatave në nivel lokal dhe hungarezëve të zakonshëm dhe po, me mbështetjen e palëve të interesuara në nivel ndërkombëtar. Qëndrimi ynë brenda Bashkimit Evropian është se liria e bashkimit është e drejtë e qartë themelore në Kartën e të Drejtave Themelore", shprehet MekGret, duke shtuar se askush nuk duhet të ketë frikë nga njerëzit që kanë dalë jashtë për tubim paqësor.
Foto: ENR