• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Medvedev: Ky nuk është një bllof bërthamor - Ukraina dhe NATO të përgatiten për një përgjigje shkatërruese

Medvedev: Ky nuk është një bllof bërthamor - Ukraina dhe NATO të përgatiten për një përgjigje shkatërruese

Moskë, 31 maj 2024 (MIA) - Vendet e NATO-s që miratuan përdorimin e armëve të tyre në territorin rus duhet të jenë të vetëdijshëm se pajisjet e tyre dhe ekspertët do të shkatërrohen jo vetëm në Ukrainë, por edhe në çdo vend prej ku është sulmuar territori rus, njoftoi sot zëvendëskryetari i Këshillit rus për Siguri, Dmitrij Medvedev.

"Dhe kjo, për fat të keq, nuk është frikësim apo bllof bërthamor", theksoi Medvedev.

Në kanalin e tij në Telegram ai tha se Ukraina dhe aleatët e saj do të marrin një "përgjigje fatale", në përdorimin potencial të armëve perëndimore me rreze të gjatë veprimi për sulm në territorin rus.

"Ukraina dhe aleatët e saj nga Aleanca do të marrin përgjigje me një forcë kaq shkatërruese që NATO-ja thjesht nuk do të jetë në gjendje t'i rezistojë përfshirjes në konflikt", theksoi Medvedev.

Ish presidenti rus dhe kryeministër tha se Moska supozon se të gjitha armët me rreze të gjatë që i janë dhënë Ukrainës tashmë janë të kontrolluara drejtpërdrejt nga personeli ushtarak i vendeve të NATO-s.

"Nuk është aspak ndihmë ushtarake, por pjesëmarrje në luftën kundër nesh", tha Medvedev.

Prandaj, tha ai, NATO-ja do të duhet të kualifikojë ligjërisht shkatërrimin e pajisjeve, objekteve dhe trupave të saj në rast të "sulmeve të mundshme hakmarrëse... në kontekstin e neneve 4 dhe 5 të Traktatit të Uashingtonit".

Medvedev tha se konflikti aktual ushtarak me Perëndimin po zhvillohet sipas skenarit më të keq të mundshëm dhe se ka një përshkallëzim të vazhdueshëm kur bëhet fjalë për fuqinë e armëve të aplikueshme të NATO-s, dhe për këtë arsye askush nuk mund të përjashtojë mundësinë e hyrjes në fazën përfundimtare të konfliktit me Perëndimin. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR