• e enjte, 26 dhjetor 2024

Medvedev: Forcat ruse në fazën e ardhshme si cak mund ta kenë marrjen e Kievit

Medvedev: Forcat ruse në fazën e ardhshme si cak mund ta kenë marrjen e Kievit

Moskë, 22 shkurt 2024 (MIA) - Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitri Medvedev tha se forcat ruse mund të arrijnë në Kiev nëse jo tani, atëherë në fazën e dytë të konfliktit dhe se "elitat" që tani sundojnë në kryeqytetin e Ukrainës do të duhet të largohen.

Forcat ruse mund të arrijnë në Kiev sepse siç thotë Medvedev, kërcënimi për ekzistencën e Rusisë vjen nga ai qytet i cili është nën kontroll të kundërshtarëve të Federatës ruse të udhëhequr nga SHBA.

Medvedevi pretendon se "regjimi në Kiev përfaqësohet nga marionetë që nuk kanë ndërgjegje dhe frikë për të ardhmen e Ukrainës".

“Elitat që tani sundojnë në Kiev duhet të largohen, disa do ta zgjedhin vetë këtë e disa do të detyrohen”, deklaroi Medvedev për mediat ruse, transmeton RTS.

Medvedev pretendon se të gjitha vendimet e Kievit merren jashtë vendit dhe në selinë e NATO-s dhe për këtë arsye ai qytet mund të jetë cak i marrjes nga ana e Rusisë.

Ai tha gjithashtu se politikanët perëndimorë, përfshirë kancelarin gjerman Olaf Sholc dhe Përfaqësuesin e lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri Josep Borel nuk besojnë se Ukraina do të fitojë, por "ata janë të detyruar ta përsërisin këtë në opinion për të justifikuar kostot e mëdha të ndihmës ushtarake për Kievin”.

"Pozicionet e Moskës dhe Uashingtonit tani janë të kundërta dhe vështirë se do të mund të kalohet ky hendek dhe të përmirësohen marrëdhëniet në dekadat e ardhshme", ka thënë Medvedev.

foto: arkivi

 

QËNDRONI TË LIDHUR