Medvedev: Amerika nuk ka përfitim nga paqja në Ukrainë
- – Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitrij Medvedev, paralajmëroi se armata ruse po kryen sulm të përqendruar ndaj objekteve infrastrukturore të Ukrainës, duke theksuar se fati i njëjtë i pret edhe rezultatet nga investimet amerikane në këtë territor.
- Post By Fitore Curri
- 14:07, 17 nëntor, 2024
Moskë, 17 nëntor 2024 (MIA) – Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitrij Medvedev, paralajmëroi se armata ruse po kryen sulm të përqendruar ndaj objekteve infrastrukturore të Ukrainës, duke theksuar se fati i njëjtë i pret edhe rezultatet nga investimet amerikane në këtë territor.
“Rezultatet materiale nga investimet amerikane në territorin e ish Ukrainës, në kushte të vazhdimit të konfliktit me Rusinë, do ta presin fatin e këtyre objekteve infrastrukturore të cilat mëngjesin e sotëm ishin të nënshtruara në sulmin e përqendruar rus”, shkroi politikani.
Sipas tij, vazhdimi i konfliktit në Ukrainë është në interes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat i rritën dërgesat e tyre të gazit të lëngshëm natyror në Evropë për shkak të sanksioneve antiruse.
“SHBA është e lumtur të investojë në konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës. Në numrat e këtij viti, dërgesat e naftës amerikane në Evropë janë dyfishuar (plus 101 për qind, ose 37,3 milionë tonë më shumë). Gazi natyror i lëngshëm - për 18,5 milionë tonë (plus 181 për qind). Fitimi është bindës. Në fund të fundit, Evropa nuk ka ku të shkojë duke pasur parasysh mungesën e lëndëve të para të shkaktuara nga sanksionet anti-ruse”, tha Medvedev.
“Fundi i konfliktit rus-ukrainas mund ta minojë pozitën e gazit të lëngshëm amerikan në Botën e vjetër (një nga kushtet e tona është shfuqizimi i sanksioneve). Çka do të jetë më e rëndësishme: premtime zgjedhore ose para? Pyetja është retorike, theksoi ai.
Pas vitit 2022, Bashkimi Evropian vendosi shumë sanksione ndaj Rusisë në cilësinë e mbështetjes së regjimit në Kiev, edhe krahas dëmit për ekonominë e saj, me ndërprerjen e dërgesës së produkteve energjetike ruse. BE-ja bëri përpjekje që t’i zëvendësojë sasitë e gazit natyror nga Rusia me gaz të shtrenjtë të gazit natyror nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Uashingtoni dërgoi deri gjysmën e importit të gazit në Evropë në vitin 2023), shkruan Sputnik. Eliminimi i shkaqeve për konfliktin në Ukrainë dhe shfuqizimi i të gjitha sanksioneve janë kushte ruse për zgjidhje të përhershme.
Presidenti i porsazgjedhur amerikan Donald Tramp paralajmëroi se planifikon për disa ditë ta zgjidhë konfliktin në Ukrainë dhe në përgjithësi t’i japë fund të gjitha luftërave të cilat zhvillohen në botë. Kjo tezë, e cila ishte premtim i tij parazgjedhor, u konfirmua pas publikimit të rezultateve nga zgjedhjet amerikane. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s