Mediat: Trampi planifikon deportimin e 240.000 ukrainasve
- Administrata e presidentit amerikan, Donald Tramp planifikon të shfuqizojë statusin e përkohshëm ligjor të 240,000 ukrainasve që ikën në SHBA pas pushtimit rus, raportojnë mediat amerikane, duke cituar zyrtarë të lartë dhe burime të afërta me planin.
- Post By Qefsere Abduli
- 14:35, 6 mars, 2025

Uashington, 6 mars 2025 (MIA) - Administrata e presidentit amerikan, Donald Tramp planifikon të shfuqizojë statusin e përkohshëm ligjor të 240,000 ukrainasve që ikën në SHBA pas pushtimit rus, raportojnë mediat amerikane, duke cituar zyrtarë të lartë dhe burime të afërta me planin.
Vendimi, i cili duhet zyrtarisht të publikohet në prill është pjesë e strategjisë më të gjerë të Trampit për t'i dhënë fund programeve të përkohshme humanitare që nga koha e presidentit Xho Bajden. Sipas të njëjtave burime, do të goditen gjithashtu edhe 530,000 emigrantë nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela, të cilët gjithashtu mund të deportohen me procedurë të përshpejtuar.
Shërbimi amerikan për emigracion dhe dogana ka dërguar tashmë një njoftim intern ku thuhet se emigrantët që kanë hyrë në vend përmes këtyre programeve humanitare nuk mbrohen nga deportimi.
Përveç ukrainasve, gjithashtu janë të prekur 70,000 afganë që mbërritën në SHBA pas tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani, si dhe rreth një milion emigrantë të tjerë që kanë pasur hyrje të përkohshme përmes programeve të ndryshme të bashkimit familjar. qa/
Foto: arkivi