• e premte, 23 janar 2026

Me nënshkrimin e Kartës hyn në fuqi Bordi i paqes së Trampit

Me nënshkrimin e Kartës hyn në fuqi Bordi i paqes së Trampit

Davos, 22 janar 2026 (MIA) - Me nënshkrimin e qasjes në Bordin e paqes me iniciativën e SHBA-së sot në Davos hyri në fuqi Karta e Bordit të paqes e cila kësaj strukture i dha statusin e një organizate zyrtare ndërkombëtare, bëri të ditur sot zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Levit.

"Karta tani është në fuqi. Bordi i paqes tani është një organizatë zyrtare ndërkombëtare", deklaroi Levit në ceremoninë e nënshkrimit të Kartës së Bordit të paqes në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Presidenti amerikan, Donald Tramp i cili inicioi formimin e Bordit të paqes dhe është në krye të saj, deklaroi në ceremoninë e nënshkrimit se dëshiron që Bordi i tij i ri i paqes të punojë "në bashkëpunim" me Kombet e Bashkuara, sipas ueb faqes zyrtare të Forumit Ekonomik Botëror.

"Sot është një ditë shumë emocionuese dhe të gjithë duan të jenë pjesë e saj. Bordi i paqes është një nga organet më të rëndësishme të krijuara ndonjëherë dhe jam i nderuar që e kryesoj atë. Sot bota është më e pasur, më e sigurt dhe shumë më paqësore se sa ishte një vit më parë", tha presidenti amerikan.

"Kur ky komitet të formohet plotësisht, ne do të jemi në gjendje të bëjmë praktikisht çdo gjë që duam dhe do ta bëjmë në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara. Gjithmonë kam thënë se Kombet e Bashkuara kanë një potencial të jashtëzakonshëm. Ata nuk e kanë përdorur atë, por ka një potencial të jashtëzakonshëm", tha Trampi, transmeton Gardian.

Presidenti amerikan vlerësoi se konflikti në Gazë, midis Izraelit dhe lëvizjes militante palestineze Hamas "po i vjen fundi", megjithëse mbeten "zjarre të vogla" që duhet të shuhen.

Ai tha se pret që Hamasi të përmbushë detyrimet e tij, dhe nëse nuk e bën këtë, do të shkatërrohet.

"Ata duhet të heqin dorë nga armët e tyre dhe nëse nuk e bëjnë, ky do të jetë fundi i tyre", tha Trampi.

Trampi tha se “shumë vende i kanë thënë se duan t'i bashkohen Bordit të paqes.

Bordi i paqes fillimisht kishte për qëllim të mblidhte një grup të vogël liderësh botërorë për të mbikëqyrur armëpushimin në Gazë, por u shndërrua në komitet për të zgjidhur konflikte të tjera globale.

Trampi vlerësoi se ky është “komiteti më prestigjioz që është formuar ndonjëherë”.

Në prezantimin e projektit në Davos morën pjesë Sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio, Përfaqësuesi special i SHBA-së, Stiv Uitkof dhe Xhared Kushner, dhëndri i presidentit dhe negociator kyç për administratën e tij në disa vende.

Të pranishëm kanë qenë edhe lider dhe diplomatë të lartë nga disa vende, përfshirë presidentët e Argjentinës, Indonezisë, Azerbajxhanit, Paraguait dhe Kazakistanit, kryeministrat e Hungarisë, Bullgarisë, Armenisë, Pakistanit dhe Katarit si dhe ministrat e Jashtëm të Turqisë dhe Arabisë Saudite.

Rreth 35 vende kanë rënë dakord të nënshkruajnë kartën, nga 60 që u ftuan të bashkohen, deklaroi një zyrtar i lartë anonim i administratës amerikane, transmetojnë mediat amerikane.

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR