• e enjte, 26 dhjetor 2024

Me marrjen në pyetje të dëshmitarëve nga Prokuroria, vazhdoi gjykimi për vrasjen e Pançes dhe Vanjës

Me marrjen në pyetje të dëshmitarëve nga Prokuroria, vazhdoi gjykimi për vrasjen e Pançes dhe Vanjës

Shkup, 15 nëntor 2024 (MIA)  - Me marrjen në pyetje të prindërve të Aleksandër Gjorçevskit me propozim të Prokurorisë publike në Gjykatën Themelore Penale Shkup, sot vazhdoi gjykimi për vrasjen e dyfishtë ndaj të miturës Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi. 

Në seancën e sotme për shkaqe shëndetësore nuk ka ardhur dëshmitari Goce Trajkovski i cili në disa raste u përmend në procedurën e deritanishme si person që ndihmoi Aleksandrin në marrjen e video-incizimeve në lidhje me zhdukjen e Vanjës.

Sot duhet të dëshmojnë edhe motra e Aleksandrit, si dhe anëtarë të familjes së Goce Trajkovskit.

Në seancat e kaluara, ka dëshmuar nëna e Vanjës, vajza e Zhezhovskit dhe burri i saj, si dhe disa persona të përfshirë në hetimin e dy vrasjeve, mes tyre inspektorë dhe anëtarë të partisë politike “E Djathta”.

Gjatë seancës së parë të akuzuarit Lupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev dhe Vlatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski deklaruan se nuk ndihen fajtorë.

Sipas aktakuzës, ata bashkë planifikuan grabitjen e vajzës 14-vjeçare me qëllim që të detyrojnë një anëtar të familjes së saj më të ngushtë të japë të holla si shpërblim. Përderisa grabitja e të dëmtuarit Pançe Zhezhovski në Veles ishte bërë me qëllim që ta detyrojnë që t'ua japë veturën “Citroen” që ta shfrytëzojnë për grabitje të fëmijës në Shkup.

E mitura Vanja dhe Pançe nga Velesi të cilët ishin raportuar si të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, ishin gjetur të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit më 3 dhjetor 2023. 

Lidhur me këtë rast është i dyshuar edhe një person për ndihmë pas kryerjes së veprës penale kundër të cilit procedura do të zhvillohet veçmas. 

Gjykimin e udhëheq gjykatësi Ivica Stefanovski, ndërsa përfaqësues i akuzës është prokurorja Zhaklina Kërstevska. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR