• e shtunë, 23 nëntor 2024

Matush Shutaj Eshtok: Sulmi ndaj Ficos është i motivuar politikisht

Matush Shutaj Eshtok: Sulmi ndaj Ficos është i motivuar politikisht

Bratislavë, 15 maj 2024 (MIA) – Tentimi për atentat ndaj kryeministrit sllovak Robert Fico ka "motiv politik", deklaroi sonte ministri për Punë të Brendshme Matush Shutaj Eshtok në spitalin në Banska Bistricë ku Fico (59) u operua, transmeton DPA.

Gjendja e tij vlerësohet e rëndë.

Duke mos mbajtur lotët, ministri i Mbrojtjes Robert Kalinak e quajti gjendjen e Ficos "jashtëzakonisht serioze". Kalinak është një nga zëvendësuesit e Ficos në parti dhe në qeveri.

Sipas informacioneve të kanalit televiziv TA3, sulmuesi është Juraj C., ish punonjës i një kompanie private të sigurisë.

Ministri sllovak për Punë të Brendshme paralajmëroi përforcimin e mbrojtjes policore për politikanët dhe gazetarët. Njëherësh, ai u bëri thirrje mediave, politikanëve të të gjitha taborëve dhe publikut që të ndalojnë “nxitjen e urrejtjes ndaj kundërshtarëve politikë në mediat sociale”.

Presidentja Zuzana Çaputova ka shprehur tashmë qëndrime të ngjashme.

Lideri i opozitës liberale, Mihail Shimeçka, anuloi sonte të gjitha aktivitetet e planifikuara politike për një periudhë të pacaktuar.

“Kjo vlen edhe për demonstratat antiqeveritare në Bratislavë të planifikuara për sonte”, u tha ai gazetarëve në Parlamentin sllovak.

Mbledhja qeveritare e caktuar për sot është shtyrë për një kohë të pacaktuar, transmeton DPA.

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR