• e enjte, 26 dhjetor 2024

Marinakis: Për momentin nuk ka rrezik të dukshëm për rritjen e valëve të emigrantëve drejt Greqisë

Marinakis: Për momentin nuk ka rrezik të dukshëm për rritjen e valëve të emigrantëve drejt Greqisë

 Athinë, 3 tetor 2024 (MIA) -  Për momentin nuk ka rrezik të dukshëm për rritjen  e valëve të migrantëve, por padyshim jemi në gjendje të gatishmërisë së plotë, pasi vendi duhet të jetë i përgatitur për të gjitha skenarët, tha zëdhënësi i qeverisë greke Pavlos Marinakis në konferencën e sotme të rregullt për media, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

 Në takimin e jashtëzakonshëm të djeshëm të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të qeverisë të mbajtur nga kryeministri grek Kirjakos Micotakis, ku u vlerësua situata e sigurisë dhe ngjarjet në Lindjen e Mesme, një nga temat ishte çështja e emigrantëve, ndërsa gazeta "Katimerini" shkruan se janë shqyrtuar masat e mundshme që fillimisht mund të vendosen, si rritja e kapaciteteve në disa nga 33 qendrat e pritjes së refugjatëve në vend.

 Marinakis në brifing shpjegoi se për shkak të specifikës së takimit, i cili ishte i jashtëzakonshëm, nuk mund të zbulojë më shumë detaje se sa ishte bërë e ditur.

 "Por,  ajo që mund të them është se për momentin nuk jemi në pikën e rritjes së rrezikut apo ndonjë kërcënimi të dukshëm të rritjes së numrit. Por, siç është e qartë, vendi duhet të jetë i përgatitur për të gjitha gjasat, pavarësisht se për momentin nuk vërehet një nevojë e tillë, një rrezik i tillë. Dhe gjithsesi që vitet e fundit Greqia ka pasur një menaxhim shumë të suksesshëm me çështjen e emigrantëve në krahasim me pothuajse pjesën tjetër të Evropës dhe faktin që nga 93 mijë persona të kujdesur arritëm në 21.000. Politikën që ndjekim për mbrojtjen e kufijve, një politikë e drejtë dhe strikte të migrimit na e tregon rrugën. Pra, për momentin nuk ka asnjë rrezik të dukshëm, por padyshim që jemi në gatishmëri të plotë", tha Marinakisi.

 

QËNDRONI TË LIDHUR