Marina amerikane ka rrëzuar një dron iranian në Detin Arabik dhe ka parandaluar sekuestrim të një anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit
- Pavarësisht përpjekjeve diplomatike për të zhvilluar bisedime midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, që synojnë uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme, sot u regjistruan dy provokime nga Korpusi i Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC) në Detin Arabik dhe Ngushticën e Hormuzit.
- Post By Melahat Baftija
- 21:03, 3 shkurt, 2026
Uashington, 3 shkurt 2026 (MIA) - Pavarësisht përpjekjeve diplomatike për të zhvilluar bisedime midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, që synojnë uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme, sot u regjistruan dy provokime nga Korpusi i Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC) në Detin Arabik dhe Ngushticën e Hormuzit.
Ushtria amerikane e ka rrëzuar një dron iranian që "në mënyrë agresive" po i afrohej aeroplanmbajtësit USS Abraham Linkoln në Detin Arabik, bëri të ditur ushtria amerikane përmes një njoftimi.
Droni iranian Shahed-139 po fluturonte drejt aeroplanmbajtësit “me qëllim të paqartë” dhe u rrëzua nga një avion luftarak amerikan F-35, u tha në njoftim.
“Një aeroplan luftarak F-35C nga aeroplanmbajtësi Abraham Linkoln e rrëzoi dronin iranian në vetëmbrojtje, me qëllim mbrojtjen e aeroplanmbajtësit dhe personelit në bord”, tha kapiteni i Marinës amerikane, Tim Haukins, zëdhënës në Komandën qendrore të ushtrisë amerikane.
Ai shtoi se asnjë pjesëtar i ushtrisë amerikane nuk është lënduar gjatë incidentit dhe asnjë pajisje e ushtrisë nuk ka pësuar dëme.
Haukins vuri në dukje se ky është incidenti i dytë sot. Më herët në Ngushticën e Hormuzit, dy anije të IRGC-së dhe një dron Mohajer iu afruan një anijeje tregtare që lundronte nën flamurin amerikan.
Anijet iraniane iu afruan anijes tregtare me shpejtësi të lartë dhe kërcënuan ta kapnin atë.
Incidenti ndodhi në kohën kur diplomatët po përpiqen të organizojnë bisedime bërthamore mes Iranit dhe SHBA-së dhe mes paralajmërimeve të presidentit amerikan, Donald Tramp, se luftanijet amerikane janë nisur drejt Iranit dhe se “gjëra të këqija” mund të ndodhin nëse nuk arrihet një marrëveshje.
Ushtria amerikane ka dislokuar në afërsi të brigjeve të Iranit një grup sulmues detar, të udhëhequr nga aeroplanmbajtësi USS Abraham Linkoln.
Presidenti Tramp nuk e ka përjashtuar mundësinë e një veprimi ushtarak ndaj Iranit, si kundërpërgjigje ndaj shtypjes brutale të protestave antiqeveritare që shpërthyen në fund të dhjetorit në mbarë Iranin. mb/
Foto: MIA