• e martë, 24 dhjetor 2024

Makron-Si: Franca dhe Kina kanë aftësinë për të kapërcyer dallimet

Makron-Si: Franca dhe Kina kanë aftësinë për të kapërcyer dallimet

Pekin, 6 prill 2023 (MIA) - Presidenti francez Emanuel Makron është takuar sot në Pekin me presidentin kinez Si Xhinping me ç'rast i tha se “e di se mund ta bind Rusinë", transmeton Guardian. 

Makron, i cili mbërriti dje në Kinë për një vizitë shtetërore tre-ditore, u prit me nderimet më të larta shtetërore.

“Agresioni rus në Ukrainë i dha një goditje stabilitetit. E di që mund të mbështetem tek ju për ta rikthyer Rusinë në anën e bindjes dhe të gjitha palët në tryezën e negociatave”, i tha Makroni presidentit kinez Si.

Gjatë vizitës në Pekin, presidenti francez tha se Kina mund të "luajë rol të rëndësishëm" në rrugën drejt paqes në Ukrainë dhe përshëndeti "vullnetin dhe angazhimin e Kinës për të zgjidhur konfliktin".

Makron në Pekin shoqërohet nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula don der Lajen. Ai tha se "dëshiron të jetë zëri që bashkon Evropën" për çështjen e Ukrainës dhe udhëtimi i tij në Kinë me shefen e KE-së "thekson më tej qëndrueshmërinë e një qasjeje të tillë".

Presidenti kinez Si Xhinping, nga ana tjetër, tha se "Kina dhe Franca kanë aftësinë dhe përgjegjësinë për të kapërcyer dallimet dhe kufizimet në një kohë kur bota po kalon nëpër ndryshime të thella historike", transmetojnë mediat shtetërore në Pekin.

"Marrëdhëniet kineze-franceze kanë ruajtur një moment pozitiv dhe të qëndrueshëm," tha Si në takimin me presidentin francez Emanuel Makron në Pekin.

Siç transmeton agjencia kineze e lajmeve Sinhua, të dy liderët janë takuar në Sallën e madhe të popullit, në qendër të Pekinit. ls/

Foto: EPA

 


 

 

QËNDRONI TË LIDHUR