• e enjte, 26 dhjetor 2024

Makron, Sholc dhe Meloni: Beogradi dhe Prishtina duhet të punojnë për zbatimin e plotë të marrëveshjes

Makron, Sholc dhe Meloni: Beogradi dhe Prishtina duhet të punojnë për zbatimin e plotë të marrëveshjes

Bruksel, 27 tetor 2023 (MIA) - Presidenti i Francës, kancelari gjerman dhe kryeministri i Italisë kanë përshëndetur sot përfshirjen e Beogradit dhe Prishtinës në bisedimet e djeshme në Bruksel, duke theksuar se tani duhet të punojnë në zbatimin e plotë të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

"Për të arritur progres të shpejtë në zbatim, i bëjmë thirrje Kosovës që të inicojë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, siç parashihet në draft-statutin (e ri, evropian), ndërsa Serbia të dorëzojë njohje de fakto. Formalitetet, përfshirë ato që lidhen me miratimin, nuk duhet të pengojnë përparimin në këtë çështje", thanë liderët e tre vendeve më të fuqishme të Evropës.

Shtohet se draft-statuti i AKSHS-së që u prezantua dhe të cilin tre zyrtarët e mbështesin plotësisht, përfshin "një mënyrë moderne evropiane për të zgjidhur çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane".

Sholc, presidenti francez Emanuel Makron dhe kryeministrja italiane Xhorxha Meloni deklarojnë se “faza e zbatimit duhet të përparojë në mënyrë që të dyja palët të përmbushin detyrimet e tyre paralelisht, hap pas hapi, në përputhje me parimin se të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka”.

"Fokusi tani duhet të jetë në zbatimin e plotë të Marrëveshjes (në rrugën drejt normalizimit), pa parakushte apo vonesa. Tani presim që Kosova dhe Serbia të bien dakord shpejt për detajet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Në rast të mungesës së progresit në normalizimin e marrëdhënieve, të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme”, theksojnë Sholc, Makron dhe Meloni. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR