• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Makron kërkon marrëveshje më të gjerë politike për të emëruar një kryeministër të ri

Makron kërkon marrëveshje më të gjerë politike për të emëruar një kryeministër të ri

Paris, 11 dhjetor 2024 (MIA) - Presidenti francez Emanuel Makron po kërkon një marrëveshje politike që do t'i lejojë atij të emërojë një kryeministër të ri dhe që do të "garantojë stabilitetin e vendit" pasi kryeministri Mishel Barnier dha dorëheqje, njoftoi sot qeveria franceze.

Zëdhënësja e Qeverisë në largim, Mod Brejon, tha se Makron e kishte të qartë se aktualisht nuk kishte asnjë aleancë politike "më të gjerë" se ajo aktuale midis aleatëve të tij centristë dhe Partisë Republikane konservatore, e cila nuk ka shumicën në parlament, raportojnë mediat amerikane.

Brejon tha se Makron po shqyrtonte ende dy opsione, njëra prej të cilave ishte të gjente një mënyrë për të "zgjeruar aleancën", duke sugjeruar se disa të majtë mund të bashkoheshin me qeverinë, së bashku me centristët dhe konservatorët.

"Opsioni i dytë do të ishte që të bëhet një marrëveshje me partitë opozitare nga e majta, që të angazhohen që të mos votojnë për mosbesim, edhe pse nuk do të jenë parti në pushtet", tha Brejon.

Zëdhënësja e qeverisë tregoi se Makron nuk dha ndonjë afat të caktuar për emërimin e një kryeministri të ri.

Presidenti francez javën e kaluar u zotua të qëndrojë në detyrë deri në fund të mandatit të tij, i cili zgjat deri në vitin 2027, një veprim që pasoi një votim historik të mosbesimit ndaj qeverisë, të shkaktuar nga mosmarrëveshjet buxhetore në Asamblenë Kombëtare.

Qeveria e Barniet mori detyrë t'i kryejë vetëm detyrat në vijim deri në zgjedhjen e kryeministrit të ri. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR