• e enjte, 26 dhjetor 2024

Makron i bën thirrje Rusisë për armëpushim gjatë Olimpiadës, Kremlini "reagoi ftohtë"

Makron i bën thirrje Rusisë për armëpushim gjatë Olimpiadës, Kremlini

Paris, 16 prill 2024 (MIA) - Kremlini sot "reagoi ftohtë" në thirrjen e presidentit francez Emanuel Makron për armëpushim në konfliktet ndërkombëtare gjatë Olimpiadës në Paris, duke thënë se Ukraina mund ta shfrytëzojë atë si mundësi për rigrupim dhe riarmatim, transmetojnë agjencitë e huaja.

Ndërprerja e armiqësive nën një armëpushim olimpik është një traditë e gjatë dhe Makron tha në një intervistë të hënën se do të punonte për ta arritur atë kur Parisi të jetë nikoqir i Lojërave Verore nga 26 korriku deri më 11 gusht.

I pyetur për këtë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, tha se si presidenti rus Vlladimir Putin ashtu edhe ushtria ruse vunë në dukje se "regjimi në Kiev, sipas rregullit, shfrytëzon ide dhe nisma të tilla që të bëjë përpjekje të rigrupohet, të riarmatoset".

Peskov në lidhje me mundësinë për armëpushimin olimpik tha se ende askush nuk ka ndërmarrë kurrfarë hapa zyrtar në këtë drejtim.

Në një intervistë për mediat franceze, Makron tha se Franca do të bëjë gjithçka për të arritur armëpushim në konfliktet në Ukrainë, Gaza dhe Sudan dhe se për këtë çështje do ta angazhojë presidentin kinez Si Xhinping.

"Është një mundësi në të cilën do të përpiqem të përfshij shumë nga partnerët tanë. Presidenti kinez do të vijë në Paris pas disa javësh, do t'i kërkoj të më ndihmojë", tha Makron.

Peskov, duke i'u përgjigjur një pyetjes së veçantë për Kinën, tha se pozita e Pekinit për konfliktin ukrainas është "shumë i balansuar dhe konstruktiv".

Kina, e cila nuk e ka dënuar pushtimin e Moskës dhe ka rritur ndjeshëm tregtinë me Rusinë që nga fillimi i luftës, paraqiti një iniciativë paqeje vitin e kaluar që përbëhej nga një sërë parimesh të përgjithshme që nuk përfshinin specifika se si t'i jepej fund konfliktit. sa/

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR