• e enjte, 26 dhjetor 2024

Maçado: Qëndroj në Venezuelë, asgjë nuk ndryshon me largimin e Gonzales në ekzil

Maçado: Qëndroj në Venezuelë, asgjë nuk ndryshon me largimin e Gonzales në ekzil

Karakas, 10 shtator 2024 (MIA) - Liderja e opozitës së Venezuelës, Marija Korina Maçado, u tha mbështetësve të saj se do të qëndrojë në vend për ta "ndjekur luftën" kundër sundimit të presidentit Nikollas Maduro, pasi aleati i saj dhe kandidat presidencial në zgjedhjet në korrik, Edmundo Gonzales Urutija, u largua në ekzil në Spanjë.

"Vendosa të qëndroj në Venezuelë dhe ta mbështes luftën nga këtu, ndërsa ai (Gonzales Urutia) e udhëheq atë nga jashtë", tha Maçado përmes video mesazhit.

Maçado që nga 28 korriku fshihet nga autoritetet e Maduros, kur u publikuan rezultatet kontestuese të zgjedhjeve presidenciale, të cilat nuk i pranon opozita e Venezuelës, SHBA, vendet e Bashkimit Evropian dhe disa nga vendet e Amerikës Latine.

Bazuar në të dhënat e qendrës së saj të votimit, opozita pretendon se ish ambasadori Gonzalez Urutia, 75 vjeç, bindshëm i fitoi zgjedhjet, ndërsa komisioni zgjedhor dhe Gjykata Kushtetuese, institucione besnike ndaj qeverisë së Maduros, e shpallën Maduron për president, megjithëse autoritetet nuk i kanë publikuar kurrë detajet e rezultateve të votimit sipas njësive zgjedhore.

Maçado deklaroi se nuk e di nëse largimi i Gonzales Urutia në Spanjë "mund ta rrisë rrezikun për të".

"Të gjithë e dimë se Edmundo Gonzales Urutia është zgjedhur president i Venezuelës. Dhe ai do të mbetet i tillë, pa dallim nëse është në Venezuelë ose në ndojë vend tjetër në botë", tha ajo në mesazh, duke shtuar se fakti që Gonzales Urutia tashmë nuk është në vend "absolutisht asgjë nuk ndryshon: legjitimiteti është mbajtur, strategjia është e njejtë".

Shumë banorë të Venezuelës shprehin dëshpërim në rrjetet sociale pas largimit të tij në Spanjë javën e kaluar.

Në një letër të publikuar në internet, Gonzales Urutia konfirmon se është larguar për të lejuar që "punët të ndryshohen dhe të ndërtohet një skenë e re për Venezuelën".

"Ky vendim është një gjest që u shtrin dorën të gjithëve (...) Vetëm politika e dialogut mund të na mundësojë të takohemi si bashkatdhetarë", shënoi ai.

Para se të nisej për në Spanjë, Gonzales Urutia injoroi tre ftesa të prokurorisë, duke menduar se paraqitja e tij mund t'i kushtonte lirinë.

Më 2 shtator pas tij ishte shpallur urdhër arrest, ndërsa prokuroria hapi hetim për "mosrespektim të ligjit", "komplot", "uzurpim të funksioneve" dhe "sabotim", në lidhje me kontestimin e fitores së Maduros dhe protestave të mëdha që shpërthyen pas zgjedhjeve. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR