• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Më shumë se dy milionë të zhvendosur shkaku i përmbytjeve në Bririn e Afrikës

Më shumë se dy milionë të zhvendosur shkaku i përmbytjeve në Bririn e Afrikës

Mogadishu, 30 nëntor 2023 (MIA) – Më shumë se dy milionë njerëz janë shpërngulur, ndërsa rreth 300 kanë humbur jetën nga shirat e dendur dhe përmbytjet në Bririn e Afrikës, gjithnjë sipas të dhënave të qeverisë dhe KB-së.

Pas thatësirës më të madhe në 40 vitet e fundit, rajoni për javë të tëra është goditur nga shira të dendur dhe përmbytje lidhur me fenomenin klimatik El Ninjo.

Në Somali, një milion njerëz janë zhvendosur, ndërsa qindra kanë vdekur, në Etiopi 600.000 njerëz janë zhvendosur dhe 57 viktima, në Keni 460.000 njerëz janë zhvendosur dhe deri tani ka 136 viktima, thonë në KB.

"Situata është katastrofike. Rajonet që kanë pasur vështirësi për t'u rimëkëmbur nga pasojat ekonomike dhe ekologjike nga thatësira e gjatë tashmë janë prekur dyfish nga përmbytjet”, thuhet në kumtesën e organizatës joqeveritare Aksion kundër urisë, publikuar përpara hapjes së Konferencës së klimës KOP28.

"Goditjet e vazhdueshme klimatike, pasiguria e përgjithshme dhe varfëria endemike i kanë sjellë somalezët në pikën e thyerjes", tha përfaqësuesi i KB-së Xhorxh Konvej.

Në Somalinë lindore, një nga rajonet më të prekura është paraqitur edhe kolera. Sipas organizatës Shpëtoni fëmijët (Save the Children), janë konfirmuar 772 raste, ku të paktën 23 persona kanë vdekur.

Autoritetet në Mogadishu shpallën gjendjen e jashtëzakonshme më 12 nëntor. Qeveria publikoi se ka marrë 25.000 tonë drithë nga Rusia dhe pret po aq sasi në dhjetor.

Briri i Afrikës është një nga rajonet më të prekura ndaj ndryshimeve klimatike dhe kushtet ekstreme të motit atje po bëhen gjithnjë e më intensive.

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR