• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Më shumë se 200 lëkundje pasuese e goditën Turqinë veriperëndimore

Më shumë se 200 lëkundje pasuese e goditën Turqinë veriperëndimore

Ankara, 11 gusht 2025 (MIA) - Më shumë se 200 lëkundje pasuese e goditën Turqinë veriperëndimore sot, pas tërmetit të djeshëm me fuqi prej 6,1 ballë. Agjencia turke për menaxhim me katastrofat AFAD njoftoi se ka regjistruar 237 lëkundje pasuese, nga të cila 10 ishin me fuqi prej të paktën 4,0 ballë.

Shumica e banorëve të rajonit të goditur kaluan natën jashtë ose në automobilat e tyre nga frika e lëkundjeve të mëtutjeshme, njoftuan mediat turke. Epiqendrat e tërmeteve ishin në qarkun Sindirgi në krahinën Balikesir, ku dje gjatë tërmetit humbi jetën të paktën një person, ndërsa 29 janë lënduar.

Tërmeti ka ndodhur në thellësi prej 11 kilometra dhe është ndjerë në Stamboll dhe Izmir, më shumë se 200 kilometra distancë. Ministri turk i Punëve të Brendshme Ali Jerlikaja tha se të paktën 16 shtëpi janë shkatërruar gjatë tërmetit. Operacionet e shpëtimit kanë përfunduar, ndërsa katër persona janë në spital.

Tërmetet janë të shpeshta në Turqi sepse ndodhet në kryqëzimin e tre pllakave të mëdha tektonike. Stambolli, i cili është goditur nga tërmeti me magnitudë prej 6,2 ballë në prill, është veçanërisht i ekspozuar. Tërmetet në vitin 2023 vranë më shumë se 53 mijë njerëz në Turqinë jugore dhe disa mijëra në Sirinë e afërt. sa/

foto: X (AFAD)

QËNDRONI TË LIDHUR