• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Më shumë se 100.000 persona protestuan në Valencia për reagimin e ngadaltë të autoriteteve gjatë përmbytjeve

Më shumë se 100.000 persona protestuan në Valencia për reagimin e ngadaltë të autoriteteve gjatë përmbytjeve

Valencia, 10 nëntor 2024 (MIA) - Më shumë se 100.000 njerëz protestuan mbrëmë në Valencia, në lindje të Spanjës, për reagimin e ngadaltë të autoriteteve rajonale gjatë përmbytjeve shkatërruese ku humbën jetën më shumë se 220 njerëz dhe çuan në përleshje me policinë, raportojnë mediat spanjolle.

Agjencia spanjolle e lajmeve Efe, duke cituar burime zyrtare të qeverisë, raportoi se 130,000 njerëz dolën në rrugët e Valencias mbrëmë për të protestuar, duke akuzuar autoritetet lokale për lëshimin e paralajmërimeve për përmbytjet shumë vonë.

Bi-Bi-Si konfirmoi se protestuesit e zemëruar u përleshën me policinë në fund të protestës.

Ndërtesa e qytetit ishte lyer me baltë dhe kryetarja e bashkisë Maria Hoze Katala postoi foto të dritareve të thyera dhe një video të një zjarri në mediat sociale.

"Vandalizmi nuk është zgjidhje", ka shkruar ajo.

Demonstrantët u mblodhën mbrëmë në qendër të Valencias duke kërkuar dorëheqjen e liderit të qeverisë rajonale, Karlos Meson, duke brohoritur "Vrasës", raportojnë mediat britanike.

"Duart tona janë njollosur me baltë, tuajat me gjak”, shkruhej në një nga pankartat dhe protestuesit thërrisnin ato fjalë.

Disa prej tyre në shenjë proteste hodhën çizme me baltë para ndërtesës së komunës.

Banorët e zonave të prekura akuzojnë Mesonin se e ka dhënë paralajmërimin shumë vonë - në orën 20:00 të 29 tetorit, pasi uji kishte përmbytur tashmë shumë qytete dhe fshatra përreth.

Meson tha se do ta kishte lëshuar paralajmërimin më herët nëse organi përgjegjës për monitorimin e ujërave do t'i kishte njoftuar autoritetet në kohë për seriozitetin e situatës.

Të paktën 223 persona kanë vdekur nga përmbytjet dhe gati 80 persona janë ende të zhdukur në përmbytjet më vdekjeprurëse në një vend evropian që nga përmbytjet në Portugali në vitin 1967, kur vdiqën rreth 500 njerëz. sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR