Luftëra intensive në Ukrainë, është shkyçur reaktori i fundit bërthamor
- Armata e Ukrainës raportoi sot luftime intensive me forcat ruse, ndërsa agjencia e energjisë bërthamore e vendit njoftoi se reaktori i fundit në termocentralin më të madh bërthamor në Evropë ishte vënë në modalitetin e "shkyçjes së ftohtë" për arsye sigurie.
- Post By Sara Ademi
- 15:51, 10 qershor, 2023
Kiev, 10 qershor 2023 (MIA) - Armata e Ukrainës raportoi sot luftime intensive me forcat ruse, ndërsa agjencia e energjisë bërthamore e vendit njoftoi se reaktori i fundit në termocentralin më të madh bërthamor në Evropë ishte vënë në modalitetin e "shkyçjes së ftohtë" për arsye sigurie.
Kryeministri kanadez Xhastin Trudo mbërriti në Kiev në një vizitë të paparalajmëruar, e dyta e tij që nga pushtimi rus shkurtin e kaluar, kur forcat ruse qëlluan me raketa dhe drone në Ukrainë gjatë natës, duke shkaktuar viktima dhe dëme në aeroportin ushtarak.
Shtatmadhoria e Ukrainës njoftoi se "luftimet e ashpra" ishin në vazhdim, me 34 përleshje një ditë më parë në lindjen industriale të vendit.
Në deklaratë thuhej se forcat ruse po "mbronin" dhe po sulmonin nga ajri dhe me artileri në rajonet jugore të Ukrainës, Herson dhe Zaporozhje.
Pesë nga gjashtë reaktorët në termocentralin bërthamor Zaporozhje, të pushtuar nga forcat ruse, ishin tashmë në modalitetin e "shkyçjes së ftohtë", që do të thotë se të gjitha shufrat e kontrollit janë futur në bërthamën e reaktorit për të ndaluar reaksionin e ndarjes bërthamore dhe gjenerimin e nxehtësisë dhe presionit.
Analistët dhe Rusia thonë se Ukraina ka nisur një kundërofensivë në Ukrainën jugore, duke synuar potencialisht të rimarrë territorin pranë uzinës.
Gjithashtu këtë mëngjes, autoritetet ukrainase raportuan se të paktën katër civilë u vranë në të gjithë vendin pasi forcat ruse lansuan dronë, raketa Shahid të prodhuara nga Irani dhe nisën sulme me artileri dhe minahedhës.
Shërbimi i emergjencës shtetërore të Ukrainës tha se tre persona u vranë dhe më shumë se njëzet u plagosën gjatë sulmit të natës në portin e Odesës në Detin e Zi.
Zëdhënësja e komandës operacionale në jug të Ukrainës, Natalia Humenjuk, tha se mes të plagosurve ishin dy fëmijë dhe një grua shtatzënë. sa/
Foto: EPA