• e mërkurë, 21 janar 2026

Liderja opozitare e Venezuelës, Marija Korina Maçado lavdëron Trampin për arrestimin e Maduros

Liderja opozitare e Venezuelës, Marija Korina Maçado lavdëron Trampin për arrestimin e Maduros

Uashington, 6 janar 2026 (MIA) - Liderja e opozitës së Venezuelës, Marija Korina Maçado ka lavdëruar presidentin e SHBA-së, Donald Tramp për arrestimin e liderit autoritar Nikolas Maduro, informon DPA.

"3 janari do të hyjë në histori si dita kur drejtësia mundi tiraninë", deklaroi Maçado dje për Foks njuz.

Forcat amerikane sulmuan caqet në Venezuelë natën midis të premtes dhe të shtunës, kapën Maduron dhe gruan e tij Silia Flores dhe i dërguan në SHBA , ku tani përballen me gjyqin për akuza për drogë.

Maçado ka lavdëruar më parë Trampin për qasjen e tij të ashpër ndaj Venezuelës.

“Kjo është një pikë kthese”, tha ajo në një postim në Iks, duke shtuar se ishte e rëndësishme jo vetëm për popullin venezuelian, por edhe “për njerëzimin, për lirinë dhe dinjitetin njerëzor”. Në një postim tjetër, ajo tha se Venezuela do të bëhet “një aleat i madh i SHBA-së në çështjen e sigurisë, energjetikës, demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.

Pas arrestimit të Maduros, Maçado bëri thirrje që politikani opozitar Edmundo Gonzalez Urutia të emërohet president. Ky ish diplomat 76-vjeçar u pranua gjerësisht nga opozita dhe vëzhguesit ndërkombëtarë si fitues i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, të cilat u njollosën nga akuzat për mashtrim, thekson DPA.

Ai kandidoi vetëm sepse Maçado si mjaft e popullarizuar, iu ndalua të merrte pjesë në zgjedhje.

Ndërkohë, zëvendëspresidentja lojale e Maduros, Delsi Rodrigez u betua si presidente e përkohshme e vendit. Qeveria e saj vazhdon ta konsiderojë Maduron si shef legjitim të shtetit.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR