• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Liderët e partive opozitare të Kosovës kanë rënë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 26 janar 2025

Liderët e partive opozitare të Kosovës kanë rënë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 26 janar 2025

Prishtinë, 31 korrik 2024 (MIA) - Tre partitë opozitare të shqiptarëve në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ranë dakord sot që data 26 janar të jetë për zgjedhjet e ardhshme të rregullta parlamentare, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Liderët e opozitës kosovare – Memli Krasniqi (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK) – shprehën mbështetjen e tyre për këtë datë pas takimit që zhvilluan sot pasdite me presidenten e shtetit, Vjosa Osmani, e cila më herët i ftoi liderët e partive në konsultime për datën e zgjedhjeve të rregullta.

Osmani pas takimit, në të cilin nuk mori pjesë lideri i partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LV), kryeministri Albin Kurti, deklaroi para gazetarëve se data e saktë do të caktohet në mes të gushtit.

Kreu i PDK-së, Krasniqi, duke propozuar që 26 janari të jetë data e zgjedhjeve, ka shkruar në Fejsbuk se qytetarëve dhe Kosovës i duhet një qeveri e re “e përgjegjshme, e besueshme dhe e aftë”.

Krasniqi tha se nuk ka nevojë për zvarritje të paarsyeshme të zgjedhjeve dhe se PDK-ja disa herë ka bërë thirrje për zgjedhje “duke parë keqqeverisjen e deritanishme”.

"Sot, në takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarët e partive tjera parlamentare në Kosovë, kam propozuar 26 janarin e vitit 2025 si datën optimale kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta nacionale në vendin tonë. Partia Demokratike e Kosovës, duke parë keqqeverisjen e deritanishme, ka kërkuar disa herë zgjedhje të parakohshme. Meqë zgjedhjet e parakohshme nuk ndodhën, për zgjedhjet e rregullta nuk ka nevojë të ketë shtyrje të pajustifikueshme – prandaj data e parë e vlefshme duhet të jetë data kur ne duhet të shkojmë zgjedhje", ka shkruar Krasniqi.
 

Për 26 janarin si datë të zgjedhjeve është pajtuar edhe kryetari i LDK-së, Abdixhiku, i cili tha se zgjedhjet për partinë e tij janë gjithmonë festë.

"Meqë, sipas përcaktimeve të afateve kushtetuese, në dispozicion na u ofruan katër data, ato të 26 janarit, 2 shkurtit, 9 shkurtit e 16 shkurtit; dhe në vijë me bindjet politike të Lidhjes Demokratike – se vendit i duhet sa më parë një Qeveri e re, që parandalon zhbërjen e shtetit, shëron polarizimin shoqëror, rikthen orientimin pro-perëndimor e fokusohet në zhvillim e mirëqenie qytetare, propozova datën 26 janar 2025 si datë të zgjedhjeve të ardhshme", ka shkruar Abdixhiku.
 

Ai ka përmendur se në këtë takim në Kuvendin e Kosovës janë përfaqësuar 13 parti parlamentare, ndërsa në takimin e thirrur nga presidentja nuk kanë marrë pjesë vetëm VV e Kurtit dhe partia e serbëve të Kosovës, Lista Serbe. 

Edhe kryetari i AAK-së, ish kryeministri Ramush Haradinaj, tha se ka propozuar 26 janarin si datë të zgjedhjeve, propozim që ai thotë se është përkrahur nga partitë tjera opozitare.

Sot në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Kosovës, propozova që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 26 Janar 2025. Kjo është data e parë në përputhje me afatet ligjore. Të njëjtin qëndrim e shprehën edhe partitë tjera opozitare. Partitë e pakicave joserbe u shprehën të gatshme të pranojnë datën e shumicës, apo datën që e përcakton Presidentja. Vetëvendosje dhe Lista Serbe, nuk morën pjesë në takim. Shpresoj që Presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe ta përfillë kërkesën e partive parlamentare që ishin pjesë e këtij takimi dhe ditën e zgjedhjeve ta caktojë më 26 Janar". thuhet në reagimin e Haradinaj në Fejsbuk. ls/
 
 
 

QËNDRONI TË LIDHUR