• e premte, 27 dhjetor 2024

Liderët e Kosovës nuk lejojnë vendvotime në Kosovë për referendumin të dielën në Serbi

Liderët e Kosovës nuk lejojnë vendvotime në Kosovë për referendumin të dielën në Serbi
Prishtinë, 14 janar 2022 (MIA) - Krerët e institucioneve shtetërore të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti sot e përsëriten se për referendumin që të dielën, më 16 janar, që do të mbahet në Serbi, do të mund të votojnë serbët me dyshtetësi, por vetëm me postë, ose në Zyrën për lidhje të Serbisë në Kosovë, njoftoi korresopondenti i MIA-s nga Prishtina. Në kumtesën e përbashkët të Osmanit, Konjufcës dhe Kurtit, pas takimit të tyre me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe ambasadorët e të ashtuquajturës Kuinta, gjegjësisht pesë vendeve perëndimore më me ndikim që kanë misione diplomatike në Kosovë - SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe Franca – theksohet se hapja e vendvotimeve në veri të Kosovës për referendumin në Serbi do të ishte “shkelje e qartë e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe e praktikave ndërkombëtare”. "Përveç ripërsëritjes se shtetasit serbë në Kosovë që kanë shtetësi të dyfishtë do të kenë të drejtën e votës në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, përkatësisht me postë ose në Zyrën për lidhje, institucionet e kanë bërë të qartë se hapja e vendvotimeve serbe në Kosovë është shkelje e qartë e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe e praktikave ndërkombëtare", theksohet në kumtesë. Sipas krerëve të institucioneve më të larta shtetërore të Kosovës, “aq më tepër, një akt i tillë do të ishte shkelje e integritetit territorial të Serbisë në raport me pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës”. Ata i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar që “të zbatojë të njëjtat standarde për Kosovën si për çdo shtet tjetër”, sepse, siç theksojnë ata, “pavarësia e Kosovës jo vetëm që njihet nga shumica e demokracive në mbarë botën, por është e vulosur nga “Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë”. Praktikat e deritanimshe të organizimit të votimit për serbët e Kosovës në zgjedhjet në Serbi, të realizuara me ndihmën e OSBE-së, sipas autoriteteve të reja të Kosovës, si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të shkurtit të vitit të kaluar, ishin antikushtetuese dhe nuk i obligojnë institucionet në Prishtinë. "Kushtetuta e Kosovës, ligjet që janë fuqi në Kosovë, si dhe e drejta ndërkombëtare dhe praktika ndërkombëtare nuk e njohin të drejtën e një shteti për të mbajtur referendum në territorin sovran të një shteti tjetër. Prandaj, praktikat e deritanishme që janë aplikuar që nga viti 2012 kanë qenë jokushtetuese dhe rrjedhimisht nuk i obligojnë institucionet aktuale të Republikës së Kosovës që dalin nga vullneti i qartë i qytetarëve të shprehur më 14 shkurt 2021, ka thënë kryesia shtetërore e Kosovës. Osmani, Konjufca dhe Kurti u bënë thirrje të gjitha shteteve demokratike që të mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për t'i ndalur “veprimet e vazhdueshme të Serbisë që cenojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës”. Ata paralajmërojnë se Beogradi, sipas “modelit rus”, synon të destabilizojë të gjithë rajonin. "Për më tepër, kjo praktikë serbe, e cila ndjek modelin rus, ka mbështetjen e plotë të Federatës Ruse, e cila dëshmon tendencën e tyre për të destabilizuar me shpejtësi rajonin tonë dhe për të anuluar sukseset që Kosova dhe rajoni kanë arritur në partneritet me vendet demokracitë mike", thuhet në kumtesë. Qëndrimi i Qeverisë, Presidentit të Republikës dhe Presidentit të vendit për të mos hapur qendrat e votimit në Kosovë për referendumin në Serbi është përkrahur publikisht edhe nga të gjitha partitë opozitare të shqiptarëve të Kosovës. Kundër organizimit të një votimi të tillë u deklaruan edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut të Kosovës (KMLDNJ) dhe organizata të tjera joqeveritare, duke thënë se do të ishte “shkelje e rëndë e sovranitetit të shtetit të Kosovës”. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq paralajmëroi të mërkurën se pasojat e moslejimit të serbëve të Kosovës për të votuar në referendum "do të jenë shumë më të rënda nga sa mund ta imagjinojnë shqiptarët dhe Kuinta", ndërsa ambasadorët e Kuinta-s, një ditë më vonë i kërkuan qeverisë Kurti t'u mundësojë serbëve të votojnë, siç e kanë bërë këtë deri më tani me ndërmjetësimin e OBSE-së. Qytetarët e Serbisë në referendumin e së dielës duhet të deklarohen nëse janë “për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë”. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR