• e enjte, 26 dhjetor 2024

Liderët e G7 mbërritën në samitin e Hiroshimës, lufta në Ukrainë ndër temat kryesore

Liderët e G7 mbërritën në samitin e Hiroshimës, lufta në Ukrainë ndër temat kryesore

Tokio, 18 maj 2023 (MIA) - Liderët e anëtarëve të Grupit shtatë vendet më të zhvilluara industrialisht (G7) kanë arritur në Samitin në Hiroshima, ku lufta e Rusisë kundër Ukrainës do të jetë një nga temat kryesore.  

Derisa përfaqësuesit e samitit treditor, që fillon nesër, ishin rrugës drejt Hiroshimas, Moska e kreu edhe një sulm ajror ndaj Kievit, ku herët në mëngjes janë dëgjuar shpërthime të forta. Ky ishte sulmi i nëntë ajror nga forcat ruse në Kiev këtë muaj, pas disa javësh paqeje relative.  

Këshilltari i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë Xhejk Salivan, tha se në Samit "do të ketë diskutime për fushën e betejës" në Ukrainë dhe për sanksionet ekzistuese dhe hapa për të cilat G7 do të angazhohet kolektivisht.

Liderët e G7 dhe mysafirët nga disa vende të tjera pritet që të bisedojnë në lidhje me sigurinë dhe armatimet në rritje, mes shqetësimeve në rritje se Pekini mund të përpiqet ta pushtojë Tajvanin me forcë, gjë që shkakton një konflikt më të gjerë, raporton Beta. Pekini pretendon se Tajvani është territor kinez dhe rregullisht patrullon me anije dhe avionë luftarakë pranë ishullit të vetëqeverisur.

Në Hiroshima masat e rrepta të sigurisë janë në fuqi, ndërsa mijëra oficerë policie janë vendosur në pika të shumta në të gjithë qytetin. Një grup i vogël protestuesish u mblodhën mbrëmë në memorialin për viktimat e sulmit me bombë bërthamore amerikane në Hiroshimë në vitin 1945, ndërsa në një nga pankartat shkruhej "Jo Samiti i G7 Imperialist".

Si një lloj homolog i samitit të G7, presidenti kinez Si Xhinping sot e hapi një takim dyditor në Sian me liderët e pesë vendeve të Azisë Qendrore, Kazakistanit, Kirgistanit, Taxhikistanit, Turkmenistanit dhe Uzbekistanit.

Gjatë takimit në Hiroshima, kryeministri japonez Fumio Kishida do të përpiqet të nxjerrë në pah rreziqet e përhapjes bërthamore. Udhëheqësit pritet të vizitojnë një park memorial që përkujton bombardimin bërthamor të Hiroshimës në vitin 1945 në fund të Luftës së Dytë Botërore, i cili i vrau 140.000 njerëz. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Xhejk Salivan, tha se Bajdeni nuk e ka në plan të kërkojë falje në emër të SHBA-së për përdorimin e bombës bërthamore në sulmin e vitit 1945 në Hiroshima, por si një nga udhëheqësit e G7, ai do ta nderojë historinë dhe kryeministrin japonez, Fumi Kishida. 

Liderët e samitit G7 do të bisedojnë edhe për forcimin e ekonomisë globale dhe rritjen e çmimeve që po ushtrojnë presion mbi buxhetet qeveritare dhe familjet në mbarë botën, veçanërisht në vendet në zhvillim në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine.

Anëtarë e G7 janë, SHBA-ja, Kanadaja, Britania e Madhe, Franca, Gjernania, Italia dhe Japonia, si dhe Bashkimi Evropian. 

Liderët e Australisë, Brazilit, Indisë, Indonezisë dhe Koresës së Jugut janë të ftuar në samit si mysafirë, ndërsa presidenti ukrainas Volodimir Zelenski është planifikuar t'i bashkohet takimit përmes video-lidhjes. qa/shk/

 

QËNDRONI TË LIDHUR