Libani i zhgënjyer nga fjalimi lamtumirës i Bajdenit
- Ministri i Punëve të Jashtme të Libanit Abdalla Bu Habib shfaqi zhgënjim nga deklaratat e presidentit amerikan Xho Bajden për përshkallëzimin e krizës ndërmjet Libanit dhe Izraelit, por tha se shpreson që Uashingtoni megjithatë mund të ndërhyjë dhe të ndihmojë.
- Post By Sara Ademi
- 08:42, 25 shtator, 2024
Bejrut, 25 shtator 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme të Libanit Abdalla Bu Habib shfaqi zhgënjim nga deklaratat e presidentit amerikan Xho Bajden për përshkallëzimin e krizës ndërmjet Libanit dhe Izraelit, por tha se shpreson që Uashingtoni megjithatë mund të ndërhyjë dhe të ndihmojë.
"Nuk ishte i fortë. Nuk është premtues dhe nuk do ta zgjidhte këtë problem. Unë jam ende me shpresë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë i vetmi vend që vërtet mund të bëjë një ndryshim në Lindjen e Mesme duke e marrë parasysh edhe Libanin", tha Habib, duke komentuar fjalimin lamtumirës të Bajdenit në Kombet e Bashkuara.
Habib ka folur gjatë ngjarjes së organizuar nga Fondacioni Karnegi për paqe ndërkombëtare.
"Vlerësohet se gjysmë milionë njerëz janë zhvendosur në Liban", tha ai, duke shtuar se kryeministri libanez shpreson që do të takohet me përfaqësuesit amerikan në dy ditët në vijim.
Bu Habib theksoi se qeveria izraelite nuk bën përpjekje serioze për një fund të dakorduar të luftërave dhe në vend të kësaj synon në fitojë në fushëbetejë.
Më herët në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme, Bajden u përpoq të lehtësonte tensionet pasi lufta gati njëvjeçare midis Izraelit dhe grupit islamik palestinez Hamas duket se do të përhapet në Liban për të luftuar Hezbollahun.
"Lufta e gjithanshme nuk është në interesin e askujt." Edhe nëse situata është përshkallëzuar, një zgjidhje diplomatike është ende e mundur", tha presidenti amerikan në Asamblenë e Përgjithshme me 193 vende anëtare. Bajdeni mori duartrokitje kur i bëri thirrje Izraelit dhe Hamasit të finalizonin kushtet e një marrëveshjeje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve të propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Katari dhe Egjipti. sa/