• e enjte, 26 dhjetor 2024

Lajçaku dhe Eskobari kërkuan nga serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës

Lajçaku dhe Eskobari kërkuan nga serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës

Prishtinë, 6 qershor 2023 (MIA) - I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak dhe zëvendësndihmës sekretari shtetëror i SHBA-së dhe i dërguar i posaçëm i presidentit Xho Bajden për Ballkanin, Gabriel Eskobar, kërkuan nga partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe (LS), të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të paralajmëruara në katër komunat në veri të Kosovës, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Pas takimit me përfaqësuesit e LS-së në fund të vizitës në Kosovë, Lajçaku para gazetarëve deklaroi se në zgjidhjen e krizës së shkaktuar pas zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë në zgjedhjet në komunat me shumicë serbe, të cilat i bojkotuan serbët e atjeshëm, duhet të përfshihet edhe popullata lokale. 

"Asnjë zgjidhje politike për uljen e tensioneve në veri të Kosovës nuk mund të arrihet pa popullatën e prekur. Me përfaqësuesit e LS-së dhe shoqërisë civile theksuam nevojën që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja", deklaroi Lajçaku.

Diplomati evropian dhe amerikan mbërritën dje në Prishtinë, ku mbrëmë u takuan me kryeministrin Albin Kurti, nga i cili kërkuan masa urgjente për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës, duke përfshirë tërheqjen e njësive speciale të policisë dhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në rajonin e prekur.

Sot Lajçaku dhe Eskobari patën takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe me liderët e partive më të mëdha opozitare të shqiptarëve, ndërsa pas takimit me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës udhëtuan për në Beograd, ku u pritën nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR