• e enjte, 26 dhjetor 2024

Lajçak sot në Kosovë për bisedime në lidhje me ndalesën e dinarit serb

Lajçak sot në Kosovë për bisedime në lidhje me ndalesën e dinarit serb

Prishtinë, 5 mars 2024 (MIA) - I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak pritet të arrijë sot në mëngjes në Prishtinë, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për problemin nga vendimi i autoriteteve të Kosovës për ndalimin e përorimit të dinarit serb, si mjet pagese në Kosovë, njoftoi korrespodenti i MIA-s nga Prishtina.

Lajçak përmes faqes së tij në Fejsbuk, publikoi se në Prishtinë do të takohet me zëvendës kryeministrin kosovar, Besnik Bislimi, me të cilin do të bisedojë për vendimin e Bankës Qendrore në Kosovë (BQK) për përdorimin e euros si mjet të vetëm të pagesës me para të gatshme në vend, përkatësisht për ndalimin e dinarit serb, që ka shkaktuar pakënaqësi te komuniteti serb në Kosovë dhe reagime të ashpra nga autoritetet në Serbi.

Informacionin për vizitën e emisarit evropian e ka konfirmuar edhe pres shërbimi i Qeverisë së Kosovës, por në kumtesë nuk përmendet se vendimi i BQK-së do të jetë temë e diskutimit midis Lajçakut dhe Bislimit, i cili është edhe negociatori i Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë.

Sipas kumtesës nga shërbimet për informim të Qeverisë në Prishtinë, Bislimi dhe Lajçaku do të bisedojnë për vazhdimin e implementimit të Marrëveshjes themelore nga Brukseli në shkurt të vitit të kaluar, të arritur mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

"Nënkryetari i parë i Qeverisë për integrime evropiane, zhvillim dhe dialog të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi do të takohet me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbis, Miroslav Lajçak, me të cilin do të bisedojë për vazhdimin e implementimit të Marrëveshjes themelore", thuhet në kumtesë.

Takimi i Lajçakut me Bislimin është paralajmëruar për në ora 09:30 në Qeverinë e Kosovës.

Bislimi më 22 shkurt deklaroi se Kosova pas bisedimeve me ndërmjetësimin e BE-së në lidhje me dinarin, nuk do të përfaqësohet në nivel politik, respektivisht nga ai ose anëtarët e ekipit negociator. Megjithatë, pesë ditë më vonë, më 27 shkurt, delegacioni i BQK-së në Bruksel është takuar me përfaqësues të Beogradit për të biseduar për vendimin për ndalimin e dinarit në Kosovë. rq/bsh/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR