• e enjte, 26 dhjetor 2024

Lajçak: Erdhëm me plan- në Prishtinë e diskutuam me Kurtin, do të bisedojmë edhe me Vuçiqin

Lajçak: Erdhëm me plan- në Prishtinë e diskutuam me Kurtin, do të bisedojmë edhe me Vuçiqin

Prishtinë, 21 tetor 2023 (MIA) - I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak i cili kryeson delegacionin evropiano-amerikan prej pesë anëtarësh i cili arriti në Prishtinë, konfirmoi se kanë ardhur në Kosovë me plan dhe se të njëjtën gjë e kanë folur dhe me kryeministrin Albin Kurti, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Lajçak tha se rreth këtij plani në Serbi do të diskutohet edhe me presidentin Aleksandër Vuçiq, por tha se nuk mund të japë më shumë detaje.

Diplomati sllovak deklaroi se dialogu nuk ka alternativë dhe theksoi se sulmi i 24 shtatorit nga një grup i armatosur serb në Banjskë në veri të Kosovës ka ndryshuar shumë gjërat.

"Ne gjithmonë kemi plan, kemi folur për planin tonë me z.Kurti. Do të diskutojmë për këtë edhe me z. Vuçiq. Nuk do të hyjmë në më shumë detaje. Dialogu nuk ka alternativë. Sulmi në Banjskë ndryshoi shumë gjëra. Dhe unë isha shumë i qartë se autorët duhet të përballen me pasojat. Dialogu duhet të vazhdojë", ka thënë Lajçak.

Sulmi i 24 shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, sipas emisarit evropian, dëshmoi se normalizimi dhe deeskalimi janë më se urgjent, ndërsa liderëve të të dyja vendeve u tha se kushtet dhe vonesat për normalizim janë të papranueshme.

“Me vëmendje e dëgjuam Kurtin dhe shqetësimet e tij për sigurinë e Kosovës. Sulmi terrorist ndaj policisë së Kosovës nga persona të armatosur paraqet precedent. E dënuam sulmin e 24 shtatorit. E kemi thënë qartë se fajtorët do të dalin para drejtësisë dhe presim bashkëpunim të plotë të Serbisë në këtë aspekt. Sulmi dëshmoi se normalizimi dhe zgjerimi janë më urgjent se kurrë. Kushtëzimi dhe vonesat janë të papranueshme dhe presim që Kosova dhe Serbia t'u përmbahen obligimeve të dialogut. Sulmi nuk e ndryshon faktin se Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në fillim të këtij viti", shtoi Lajçak.

Ai tha se sulmi në Banjskë, ku përveç një pjesëtari të policisë së Kosovës vdiqën tre nga sulmuesit, po hetohen nga BE dhe NATO.

"Procesi është në rrjedhë. BE dhe NATO po hetojnë faktet. Për rezultatet do të informoheni", tha ai.

I dërguari special, i shoqëruar nga i dërguari i presidentit amerikan Xho Bajden për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar dhe këshilltarë të lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë arritën paraditen e sotme në Prishtinë.

Diplomatët në Prishtinë janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më pas kanë udhëtuar për në Beograd, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi i Vuçiqit me pesëshen, sipas Beogradit zyrtar është caktuar në orën 14.

Siç është njoftuar zyrtarisht, qëllimi i vizitës është të arrihet progres konkret në implementimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe deeskalimit të situatës pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

Përveç Lajcakut dhe Eskobarit, delegacionin e përbëjnë edhe Emanuel Bone, këshilltar për siguri dhe politikë të jashtme të presidentit francez Emanuel Makron, Jens Plotner, këshilltar i kancelarit gjerman Olaf Sholc dhe Françesko Talo, këshilltar i kryeministres italiane Xhorxha Meloni.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR