• e enjte, 26 dhjetor 2024

Lajçak: BE-ja dhe Ballkani duhet ta marrin seriozisht zgjerimin

Lajçak: BE-ja dhe Ballkani duhet ta marrin seriozisht zgjerimin

Zagreb, 9 maj 2023 (MIA) - Në vendet e Evropës Juglindore, mbështetja për anëtarësim në BE është në rënie, sepse banorët besojnë se ajo nuk dëshiron t'i pranojë, por ka programe partneriteti përmes të cilave këto vende mund të marrin pjesë edhe në tema të përbashkëta si "plani i gjelbër" dhe digjitalizimi, tha Miroslav Lajçak, përfaqësuesi special i BE-së për Ballkanin Perëndimor, në një intervistë për Hina.

Kanë kaluar 20 vjet që kur BE-ja dhe vendet juglindore deklaruan për herë të parë në një deklaratë të përbashkët se "e ardhmja e Ballkanit është në BE". Që nga ai takim në Selanik në vitin 2003, vetëm Kroacia u bë anëtare në vitin 2013.

"Mendimi im personal është se Evropa duhej ta "tretë" zgjerimin e madh në vitet 2004 dhe 2007. Ai solli shumë efekte pozitive, por edhe elementë që e ndërlikuan BE-në, veçanërisht sepse është më e vështirë për të marrë vendime unanime me 28, ose tani me 27 vende, sesa kur ishin 15", tha Lajçak.

Ai foli me Hinën në Greqi, ku po merrte pjesë në Forumin Ekonomik Delfi. Pikërisht nën presidencën greke të BE-së, dy dekada më parë, anëtarësimi iu premtua Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Bosnja e Hercegovinës. Presidencën gjashtëmujore të BE-së nga 1 korriku do ta marrë Spanja, e cila gjithashtu mbështet anëtarësimin e këtyre vendeve.

"Vendet e Ballkanit Perëndimor, ndryshe nga vendet e Evropës Qendrore, kanë ende çështje të pazgjidhura nga e kaluara që vazhdojnë t'i preokupojnë. Për vendin tim (Sllovakinë) dhe pjesën tjetër të Evropës Qendrore, integrimi në BE ishte një prioritet absolut, kështu që ne ishim plotësisht të përkushtuar për ta arritur atë", tha Lajçak.

"Por tani, pas agresionit rus kundër Ukrainës, ne shohim se BE-ja dhe Ballkani duhet ta marrin seriozisht zgjerimin. Kjo nuk mund të arrihet nëse njëra palë e merr seriozisht dhe tjetra jo", shtoi ai.

Në bisedën me Hinën, Lajçak iu referua progresit të Malit të Zi drejt BE-së, duke theksuar se ai është më i avancuari, por kërkoi që vendi të merret më pak me veten dhe më shumë me agjendën evropiane. Për Serbinë u theksua se deri më tani ka hapur 22 nga 35 kapituj, por deri më tani ka mbyllur vetëm dy. Në BeH, e cila mori statusin e kandidatit në dhjetor të vitit të kaluar, situata mbetet e ndërlikuar. sa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR