• e enjte, 26 dhjetor 2024

Lajçak: AKSHS-ja nuk është e vetmja gjë që duhet të zbatohet edhe Serbia ka shumë obligime të pazbatuara

Lajçak: AKSHS-ja nuk është e vetmja gjë që duhet të zbatohet edhe Serbia ka shumë obligime të pazbatuara

Bruksel, 30 tetor 2023 (MIA) - Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, insiston se përveç formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe (AKSHS), që është obligim i Kosovës, edhe Serbia duhet të zbatojë edhe të gjitha nenet e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Ky (Asociacion) nuk është i vetmi element që duhet të zbatohet. Edhe Serbia ka shumë obligime të pazbatuara nga Marrëveshja dhe duhet të shohim që zbatimi ecë paralelisht, në mënyrë që edhe Kosova edhe Serbia të marrin atë që kanë rënë dakord", ka theksuar Lajçak në rrjetet sociale, transmeton RSE.

Ai deklaroi se së shpejtido t'i ftojë negociatorët kryesorë në dialog për të diskutuar për hapat e ardhshëm dhe përmirësimin e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Thirrja e Lajçaku vjen pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti zhvilluan bisedime me liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe BE-së javën e kaluar në margjinat e një takimi të Këshillit Evropian në Bruksel.

"Unë e mirëpres faktin që të dy liderët kanë treguar vullnetin për të zbatuar Marrëveshjen edhe pse nuk mundën të bien dakord për modalitetet," tha Lajçak mbrëmë në Fejsbuk në përmbledhjen e tij të rregullt javore të ngjarjeve të javës së kaluar.

Ai shtoi se liderët kishin komente dhe pyetje rreth propozimit evropian për statutin për formimin e AKSHS-së në Kosovë, të cilën përfaqësuesit e huaj e prezantuan gjatë misionit të përbashkët të shtunën e kaluar.

Ai shprehu shpresën se pyetjet e hapura dhe shqetësimet do të sqarohen në javët në vijim. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR