• e mërkurë, 26 mars 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Lagard: Përdorimi i aseteve të ngrira ruse duhet të bazohet në ligjin ndërkombëtar

Lagard: Përdorimi i aseteve të ngrira ruse duhet të bazohet në ligjin ndërkombëtar

Frankfurt, 6 mars 2025 (MIA) - Kryetarja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) Kristin Lagard paralajmëroi sot se çdo vendim i vendeve perëndimore për përdorimin e aseteve të ngrira ruse duhet të bazohet në ligjin ndërkombëtar.

Liderët evropianë duan të përdorin asetet ruse me vlerë nga 300 miliardë deri në 350 miliardë dollarë - kryesisht në bono qeveritare evropiane, britanike dhe amerikane - për të rindërtuar Ukrainën, por ende nuk kanë rënë dakord se si të shmangin problemet ligjore që do të shkaktonte një precedent të tillë ndërkombëtar.

BQE ka shprehur prej kohësh shqetësim për ndikimin e një lëvizjeje të tillë në gatishmërinë e ardhshme të investitorëve për të ruajtur asetet në euro.

"Nuk i takon BQE-së që ta diskutojë këtë, por sigurisht që do të theksoja se themeli i vendimit në të drejtën ndërkombëtare do të jetë i rëndësishëm për investitorët e tjerë”, tha Lagard.

Ky, jam e sigurt, është një element që do të merret parasysh nga ata, detyra e të cilëve është të marrin vendime përfundimtare”, përfundoi ajo. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR