• e diel, 24 nëntor 2024

Lëvizje e çmimit të grurit në bursat e SHBA-së pas vendimit të Rusisë që të tërhiqet nga Marrëveshja për eksportin e drithërave përmes Detit të Zi

Lëvizje e çmimit të grurit në bursat e SHBA-së pas vendimit të Rusisë që të tërhiqet nga Marrëveshja për eksportin e drithërave përmes Detit të Zi

Uashington, 17 korrik 2023 (MIA) – Çmimet e grurit sot u rritën ndjeshëm në bursë pasi Rusia u tërhoq nga pjesëmarrja e Iniciativës që garantonte eksport të sigurt të drithërave përmes Detit të Zi, thonë tregtarët.

Në bursën e Çikagos, çmimet e grurit u rritën për 3.4 për qind në 6.84 dollarë.

Çmimet e misrit njashtu u rritën, dy për qind apo në 5.16 dollarë.

Shkak për këtë rritje të çmimeve është paralajmërimi i sotëm i Rusisë për pezullimin e pjesëmarrjes në nismën që garanton eksportin e sigurt të drithërave dhe plehrave artificiale nga tre porte ukrainase në Detin e Zi, sipas marrëveshjes midis Rusisë, Ukrainës dhe Turqisë, të arritur në korrik të vitit të kaluar me ndërmjetësim të Kombeve të Bashkuara.

Kontrata është lidhur për 120 ditë, ndërsa në nëntor të vitit të kaluar është vazhduar edhe për 120 ditë dhe në mars për 60 ditë të tjera. Afati ka skaduar sot, ndërsa Rusia para dy orësh njoftoi se po tërhiqet nga marrëveshja për shkak se nuk respektohen dispozitat për eksport të saj.

KB javën e kaluar njoftoi se nga fillimi i gushtit të vitit të kaluar deri më 10 korrik të këtij viti, nga tre porte ukrainase në Detin e Zi janë eksportuar 32 milionë tonë drithë në 45 vende në tre kontinente.

Pjesa më e madhe e grurit u eksportua në Kinë, pothuajse tetë milionë tonë. Pasojnë Spanja dhe Turqia me gjashtë, pra 3.2 milionë tonë. Ndër pesë importuesit kryesorë kanë qenë Italia dhe Holanda, me 2.1 dhe dy milionë tonë drithë.

Gruri përbën rreth një të katërtën e eksportit, ndërsa misri gjysmën.

Vazhdimi i pjesshëm i eksportit ukrainas ngadalësoi rritjen e çmimeve botërore të ushqimeve, të cilat në qershor, sipas indeksit të Agjencisë për ushqim dhe bujqësi të KB-së, ishin 11.6 për qind më të ulëta se në korrik të vitit të kaluar.

Marrëveshja poashtu garantonte eksportin e plehrave artificiale, duke përfshirë amoniakun, për mbështetje të furnizimit të sigurt ushqimor në mbarë botën.

"Megjithatë, plehrat dhe amoniaku ende nuk janë eksportuar si pjesë e iniciativës", theksohet në kumtesën e KB-së nga 10 korriku.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, Rusia është eksportuesi më i madh në botë i plehrave dhe eksportues i rëndësishëm i grurit, por eksportet e saj pengohen nga sanksionet e Perëndimit.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR