• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Lëndohen dhjetëra protestues dhe pjesëtarë të KFOR-it në protestat e serbëve në Veri të Kosovës

Lëndohen dhjetëra protestues dhe pjesëtarë të KFOR-it në protestat e serbëve në Veri të Kosovës

Prishtinë, 29 maj 2023 (MIA) – Mbi 50 qytetarë të nacionalitetit serb janë pranuar në spitalin e Mitrovicës së Veriut me lëndime të marra pas përplasjes me pjesëtarët e misionit paqësor të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, gjatë protestave kundër kryetarëve të sapozgjedhur shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Sipas raporteve mediatike, në përplasjet e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan ka të lënduar nga të dyja palët, ndërsa një apo më shumë persona janë me lëndime të rrezikshme për jetën.

Drejtori i spitalit në Mitrovicën e Veriut, Zllatan Elek deklaroi për mediat në gjuhën serbe se aty janë pranuar 53 qytetarë me lëndime nga shok-bomba dhe gazi lotsjellës. Tre nga të lënduarit janë ndaluar në spital, njëri prej tyre, sipas Elek është në rrezik për jetën.

Portali në gjuhën shqipe i "Gazeta Ekspres", duke iu referuar burimeve të veta, publikoi se dy serbë, prej të cilëve njëri është identifikuar si Dragisha Galjak, janë plagosur rëndë dhe janë në trajtim intensiv.

Jozyrtarisht, janë plagosur edhe njëzet pjesëtarë të KFOR-it, ndërsa ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani, kumtoi se janë plagosur 11 ushtarë të këtij vendi, tre prej të cilëve më rëndë, por nuk janë në rrezik për jetën.

Ambasadorët e vendeve perëndimore të akredituar në Prishtinë kërkuan qetësimin e tensioneve dhe u shprehën mbështetje forcave të KFOR-it.

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR