Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet as në përpjekjen e 12-të
- Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se shpreson që të gjendet një zgjidhje për ngërçin në Kuvend që të vazhdohet tutje. Ai ka thënë se do të ishte më mirë të shkohet në zgjedhje, nëse vazhdon situata kështu.
- Post By Fami Bajrami
- 12:05, 7 maj, 2025
Prishtinë, 7 maj 2025 (MIA)- Për të 12-tën herë ka dështuar përpjekja për konstituim të Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se shpreson që të gjendet një zgjidhje për ngërçin në Kuvend që të vazhdohet tutje. Ai ka thënë se do të ishte më mirë të shkohet në zgjedhje, nëse vazhdon situata kështu.
“Më mirë të shkojmë në zgjedhje. Nuk është mirë me vonu pa kufi Kosovën”, ka thënë Haradinaj.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë opsioni i fundit, pasi u shpreh se opsioni më i mirë për dalje nga kriza është votimi i fshehtë në Kuvend.
“Duam që zgjedhjet të jenë opsioni i fundit. Opsioni më i mirë që kemi është votimi në mënyrë të fshehtë për kryetare të Kuvendit. Ata që po e kundërshtojnë këtë, s’po ofrojnë zgjidhje”, ka deklaruar Murati, shkruajnë mediat në Prishtinë.
Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, emri i të cilës ka dështuar në disa tentime për zgjedhje për kryeparlamentare, ka thënë se propozimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për qeveri të tranzicionit është përpjekje për injorim të vullnetit të popullit.
Haxhiu e ka cilësuar të pakuptueshëm pozicionin e partive opozitare që refuzojnë të votojnë komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill dhe procesi ka ngecur te zgjedhja e kryeparlamentarit pasi LVV-ja, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për kandidaten e tyre, Albulena Haxhiu.
Për ndryshimin e formës së votimit të kryeparlamentarit sot kanë votuar vetëm 56 deputetë, një votë kundër, ndërsa të tjerët nuk morën pjesë në votim fare.
Vazhdimi i seancës do të jetë më 9 maj.