• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutë për dënim të gjenocidit në Srebrenicë

Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutë për dënim të gjenocidit në Srebrenicë
Prishtinë, 7 korrik 2021 (MIA) – Deputetët në Kuvendin e Kosovës sot kanë miratuar Rezolutë për dënim të gjenocidit ndaj popullatës myslimane në Srebrenicë, në Bosnjë e Hercegovinë, të kryer nga ana e forcave serbe në korrik të vitit 1995, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Për Rezolutën, të parashtruar nga koalicioni i boshnjakëve të Kosovës “Vakat”, kanë votuar 89 deputetë dhe nuk ka pasur asnjë votë “kundër”, as të “përmbajtur”. Propozimin e koalicionit boshnjak e kanë përkrahur të gjitha grupet e deputetëve në Kuvendin 120-anëtarësh të Kosovës, si nga pushteti, ashtu edhe nga opozita, përveç rreth dhjetë deputetëve të partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Listës serbe, të cilët e kanë braktisur seancën në fillim të debatit. Me Rezolutën ashpër dënohet gjenocidi i shtetit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak, si dhe “çdo tendencë për mohim të qëllimshëm dhe publik të gjenocidit, me qëllim të nënçmimit të viktimave dhe fshehjes së motiveve për krimet e kryera”. Rezoluta u bën thirrje institucioneve shtetërore që t’i respektojnë viktimat e gjenocidit dhe, duke e ndjekur shembullin e Parlamentit Evropian, shpallet 11 korriku për Ditë të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë. Në korrik të vitit 1995 forcat serbe në BeH kanë likuiduar mbi 8.000 meshkuj, mes të cilëve edhe shumë fëmijë, të kombësisë boshnjake në enklavën e Srebrenicës, e cila është shpallur për “zonë e sigurtë” nga ana e Kombeve të Bashkuara. Ky masakër konsiderohet si më i rëndi në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Muajin e kaluar Rezolutën për dënim të gjenocidit në Srebrenicë miratoi edhe Kuvendi i Malit të Zi, që shkaktoi reagime të ashpra nga ana e partive të serbëve malazezë dhe të Beogradit zyrtar. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR