Kushneri në Davos prezantoi planet për rindërtimin e Gazës
- Xhared Kushner, dhëndër dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit amerikan Donald Tramp, sot prezantoi planet për rindërtimin e Rripit të Gazës, duke theksuar se demilitarizimi i plotë i Hamasit është i nevojshëm për realizimin e planit.
- Post By Fami Bajrami
- 13:52, 22 janar, 2026
Davos, 22 janar 2026 (MIA) - Xhared Kushner, dhëndër dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit amerikan Donald Tramp, sot prezantoi planet për rindërtimin e Rripit të Gazës, duke theksuar se demilitarizimi i plotë i Hamasit është i nevojshëm për realizimin e planit.
"Një Gazë e re mund të jetë një shpresë dhe një destinacion. Sot kemi bërë disa gjëra të pamundura në Gazë dhe nuk ka arsye të mos bëjmë më shumë", tha Kushneri, raporton Si-En-En.
Në Samitin Ekonomik Botëror në Davos ai pati prezantim ku përshkroi pamjen e re të mundshme të enklavës palestineze duke theksuar se "paqja është një lloj marrëveshje e ndryshme nga një marrëveshje biznesi" dhe se administrata Tramp nuk ka Plan B përtej procesit shumëfazor të dakordësuar për përfundimin e luftës dhe transformimin e enklavës.
Kushneri u bëri thirrje të pranishmëve të "lënë mënjanë skepticizmin dhe rivalitetin" në pjesëmarrjen në Bordin e paqes.
"Të bëjmë gjithçka që mundemi për të punuar së bashku. Qëllimi ynë këtu është paqe midis Izraelit dhe popullit palestinez", tha Kushneri.
Ai theksoi se një pjesë e madhe e planit varet nga demilitarizimi i Hamasit, duke premtuar se SHBA do ta zbatojë atë pjesë të marrëveshjes së armëpushimit.
"Nëse Hamasi nuk demilitarizohet, kjo do të jetë ajo që do ta pengojë Gazën dhe popullin e Gazës të arrijnë aspiratat e tyre", tha Kushneri.
Foto: EPA